Pllana i VV-së i drejton Qeverisë së Kosovës pesë kërkesa për t’i ndihmuar shqiptarët që jetojnë në veri

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, asambleisti i këtij subjekti politik, Muhamed Pllana, ka drejtuar disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës, me qëllim që t’iu ndihmohet shqiptarëve që jetojnë në veri të vendit.

Pllana ka kërkuar rindërtimin e të gjitha shtëpive të djegura gjatë dhe pas luftës, matanë lumit Ibër, ndërtimin me material të fortë të shkollës dhe QMF-së ne Kodrën e Minatorëve, dhe poashtu të sigurohen me rrethojë të hekurt, sigurimin e transportit të rregullt për lagjet Kroi I Vitakut dhe Kodra e Minatorëve, shkruan Veriu.info.

Ky është fjalimi i plotë i tij:

Duke u bazuar në gjendjen e krijuar pas sulmit të datës 18 mars mbi QMF-në (Qendren e mjekësisë familjare), dhe mbi paralelet e ndara të shkollës Aziz Sylejmani në Kodrën e Minatorëve, e posaçërisht pas arrestimit të Marko Gjuriqit dhe (shpalljes së njëanshme të Zajednicës), insistimin e Serbisë për zhvendosjen e vijës administrative ndërkomunale gjer tek lumi Ibër, e që rrjedhimisht rrezikon të rezultojë me zhvendosjen e shqiptarëve të mbetur atje, ku e gjithë kjo ndërlidhet edhe me ndërtimin e kolonisë serbe te 300 shtëpive në Luginën e Diellit, e njëkohësisht duke u nisur nga ajo se çka kane përjetuar gjatë këtyre viteve shqiptarët në Veri dhe nga brenga për sigurinë dhe cilësinë e jetës së shqiptarëve në Veri, propozojmë që ne si anetar te Kuvendit komunal te Mitrovicës, njëzëri të kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, krijimin e nje fondi të posaçëm për:

  • Rindërtimin e të gjitha shtëpive të djegura gjatë dhe pas luftes, matanë lumit Ibër
  • Ndërtimin me material të fortë të shkollës dhe QMF-së ne Kodrën e Minatorëve, dhe poashtu të sigurohen me rrethojë të hekurt
  • Ndërtimin e shkollës dhe institucionit parashkollor në Kroin e Vitakut.
  • Sigurimin e transportit të rregullt për lagjet Kroi I Vitakut dhe Kodra e Minatorëve dhe
  • Ofrimi I sigurisë maksimale për shqiptarët atje nëpërmjet pranisë fizike të Policisë së Kosovës dhe monitorimit 24 orë me kamera.

Për zbatimin e propozimeve më lartë, kërkojmë që Qeveria të marr përgjegjësinë e koordinimit me komunat përkatëse dhe kështu të dëshmoj autoritet në pjesën veriore.

Mendojmë se këto janë kushtet minimale të cilat Qeveria jonë mund t’i jap pjesës më të diskriminuar në Republikën e Kosovës, e kur dihet se së voni janë ndarë 1 milion € për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët ne ate pjese, dhe gjithashtu me faktin se një KM e rrugës së zgjeruar Prishtinë – Ferizaj do të kushtoi rreth 5.5 milion €.

Dikush mund të thotë se bëhet fjalë për Komunë tjetër dhe ne nuk kemi ingerenca, mirëpo kjo nuk do të duhej të ishtë qasja dhe logjika jonë sepse bëhet fjalë për bashkëqytetarët, familjarët dhe miqtë tane te cilet me shume veshteresi dhe rrezik per sigurine e tyre jetojne atje.

Për më tepër, me problemet dhe nevojat e tyre përballen drejtoritë tona komunale në baza të përditshme, ku nje pjese e konsiderueshme e buxhetit te Komunes shpenzohet pikerisht per komunat veriore.

Besoj shume që për te gjitha këto pika ekziston konsenzusi i të gjitha subjekteve këtu dhe tani vetëm nevojitet vullneti politik dhe puna me përfaqësues tanë në nivelin qendror.