Polemika Osmani – Hamza për numrin e të dhunuarave gjatë luftës

Duke replikuar me deputeten e LDK-së, Vjosa Osmani për listat e fryra të veteranëve të UÇK-së, ministri i financave, Bedri Hamza, ka thënë se duhet të shtruar edhe çështjen e fryrjes së listave të femrave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Nuk kanë qenë 20 mijë femra të dhunuara gjatë luftës”, ka thënë Hamza, transmeton Koha.net.

Kundër këtij konstatimi është ngritur deputetja e LDK-së, Osmani. Ajo e ka pyetur dhe ka kërkuar përgjigje nga ministri Hamza se si është e mundur që ai të thotë se ky numër është i fryrë dhe siç tha ajo, si është e mundur që një e padhunuar të shkojë dhe të deklarohet si e dhunuar.

“Duhet t’ju vijë turp për këtë”, ka thënë Osmani, e cila ka saktësuar se numrin e të dhunuarave gjatë luftës e kanë vërtetuar shumë OJQ dhe fondi për të drejtat humanitare.

“Këtë numër në çdo tre muaj e përmend në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së edhe ish-bashkëpartiakja juaja, tani ambasadore e Kosovës në Uashington”, ka thënë Osmani.

Në kundër-replikë ministri Hamza është tërhequr nga deklarata paraprake, duke thënë se i vjen më së shumti keq për këtë kategori të luftës, duke aluduar për gratë e dhunuara.

SHPËRNDAJE