Policia intervenon në tubimin në Mitrovicë, shpërndan të rinjtë që kishin dalur për ta pritur Mozzikun

Policia e Kosovës ka intervenuar sot në një tubim të të rinjve që po mbahej në Mitrovicë, ku rep-artisti Mozzik kishte shkuar për të promovuar albumin e tij “Mozzart”.

Anipse këngëtari kishte pasur leje për ta zhvilluar këtë turne, Policia ka shpërndarë pjesmarrësit për shkak të shkeljes së rregullave dhe vendimeve të Qeverisë.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali drejtori i Inspekcionit në këtë komunë, Fidan Ademi.

“Ne nuk kemi pasur informacion për këtë rast. Meqë sot është vikend, jemi duke punuar me inspektorë fillestar, janë një numër shumë i vogël. Megjithatë, unë menjëherë e kam telefonuar komandantin e policisë dhe i kërkova që të intervenojë. Komandanti më tha që këngëtari në fjalë ka pasur leje për këtë aktivitet, por po intervenojnë. I gjithë aktiviteti ka zgjatur diku 20 minuta. Komandati më ka njoftuar se posa ka arritur në vend të ngjarjes i ka shpërndarë turmën”, ka thënë Ademi.

Kujtojmë se reperi i njohur nga Ferizaj, Mozzik sot ka filluar turneun e tij për promovimin e albumit ‘Mozzart’, i cili do të zhvillohet në 7 qytete të Kosovës, ku do t’i shpërndajë 30 mijë CD të këtij albumi.

Turneu ka filluar nga qyteti i Mitrovicës, ku në disa video të publikuara në Instagram, shihen qindra të rinj të cilët ishin mbledhur për ta pritur këngëtarin.

E kjo kërcënon seriozisht shëndetin publik në këtë kohë pandemie, sepse përveç neglizhencës së distancimit fizik, në këtë tubim të pranishëm ishin edhe shumë fëmijë të cilët nuk kishin të vendosura maska mbrojtëse.

SHPËRNDAJE