POLITIKA SPONSORIZON VARËSI E BUXHET 30-MILIONËSH PËR RTK-NË

Transmetuesit Publik po i përgatitet një bazë ligjore, e cila nuk përmban dispozita për ta mbrojtur nga ndërhyrjet, por i siguron burime të mëdha financimi.

Dy janë burimet kryesore: njëri nga parapagimi e tjetri nga buxheti shtetëror.

“Koha Ditore” ka siguruar të mërkurën opinionet që i kanë dhënë disa nga ministritë në lidhje me ndryshimet ligjore të hartuara nga Kuvendi. Në to zbardhen burimet e financimit dhe tregohet sesi dispozitat e Projektligjit nuk përbëjnë mburojë për pavarësinë editoriale të këtij transmetuesi.

Po kështu, dokumentet përmbajnë edhe propozime të ndryshme, një nga të cilat kërkon që në kuadër të transmetuesit publik të formohet edhe një kanal i ri televiziv.

Ministria e Financave është institucioni që i ka bërë analizë ndikimit financiar. Mbështetur në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, për secilin nga tre vjetët e ardhshëm ishte paraparë të ndaheshin nga 11.2 milionë euro për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Por në rast se hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore që i ka sponsorizuar Kuvendi, në këtë periudhë trevjeçare RTK-ja do të arkëtojë më shumë sesa dyfishin e shumës së planifikuar.

Kuvendi, duke qenë organ propozues, ka përgatitur vlerësimin e ndikimit buxhetor të Projektligjit.

Por ka prezantuar vetëm ndikimin që rrjedh prej financimit nga buxheti. Sipas këtij institucioni, në vitin 2019 RTK-së do t’i ndahen 11.04 milionë euro, 6.8 milionë euro në vitin 2020 dhe 7.6 milionë euro në vitin 2021. 

SHPËRNDAJE