Politikë mbi kufoma

Duhet të jesh fort i papërgjegjshëm, mizor që të shkaktosh krizë politike në një situatë të vështirë si kjo e Covid-19, kur tashmë është shënuar viktima e parë. Në gjendje pandemie, tërheqja e VV’së e LDK’së nga pozicionet nuk është nënshtrim, por përgjegjësi karshi qytetarëve që po përjetojnë ditë të rënda. Askujt nuk i duhet politikë mbi kufoma.

Shkruan Imer Mushkolaj

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë po rritet, e bashkë me të edhe papërgjegjësia e politikës karshi jetës së qytetarëve, në një situatë të rëndë epidemiologjike. Përderisa qytetarët janë mbyllur nëpër shtëpi dhe po presin se çfarë po bëhet në krizën më të madhe globale, partitë nuk po ndalen drejt qëllimit për të shkakkuar krizë politike, në një moment mjaft të vështirë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë shtuar akuzat e ndërsjella, për të fajësuar njëra-tjetrën, ndërkohë që partitë opozitare po presin “në një këmbë” se çfarë po ndodh dhe çfarë mund të përfitojnë nga situata.

Tashmë nënshkrimet për thirrjen e seancës për votëbesimin e Qeverisë Kurti janë në Kuvend dhe duket se LDK e ka ndarë mendjen që të mos e vazhdojë më bashkëqeverisjen me VV’në. Asnjëra palë nuk po lëshon pe dhe qytetarët po bëhen dëshmitarë të papërgjegjësisë më të madhe që mund të ndodh në një krizë epidemiologjie, që tashmë ka marrë viktimën e parë.

LDK po kërkon nga Albin Kurti që ta rikthejë Agim Veliun në postin e ministrit dhe ta heq menjëherë taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Kurti tashmë e ka hequr taksën në lëndën e parë, por zyrtarë të partisë së tij thonë se vendimi për shkarkimin e Veliut është i pakthyeshëm.

Gjithë kjo po ndodh në situatën kur vendi, bazuar në trendin e shteteve të tjera, pritet të përballet me më shumë raste të koronavirusit, kur kapacitetet në të gjitha fushat vazhdojnë të jenë të limituara, kur menaxhimi i situatës nuk është i lehtë dhe kur më e pakta që nevojitet në këtë kohë është një krizë politike.

* * *

Gjithë globi, natyrisht edhe SHBA’të, po merret me pandeminë që ka shkaktuar disa mijëra viktima deri tash. Është e vështirë të besohet se çështje kyçe në këtë kohë, në marrëdhëniet ndërkombëtare, është heqja ose jo e takës dhe vazhdimi ose jo i dialogut me Serbinë. Por LDK është e bindur se taksa duhet të hiqet menjëherë – ashtu siç po kërkojnë SHBA’të – dhe Agim Veliu duhet të kthehet në pozitën që mbante.

Në fakt, të dy partitë kryesore të koalicionit qeveritar po tregohen të pasinqerta me njëra-tjetrën, në arsyetimin e kërkesave dhe veprimeve që po ndërmarrin.

A është vetë LDK që miratoi programin qeverisës, pak ditë më parë, në të cilin shkruan se taksa hiqet dhe zëvendësohet me reciprocitet? LDK e ka ditur qëndrimin e VV’së dhe Kurtit për këtë çështje. Pse ka bërë, atëherë, koalicion me të?

Në anën tjetër, pse u desh që Kurti të shkarkojë nga detyra Veliun për një fjalë goje? A nuk kanë ndodhur edhe të tjera deklarime publike të anëtarëve të kabinetit qeveritar, të cilat nuk kanë përkuar me qëndrimin e qeverisë? Për më tepër, pse u desh që këto veprime të ndërmerren pikërisht tash, në një krizë të rëndë? Pse nuk u lanë për më vonë? Pse duhet bërë politikë mbi kufoma?

Ndonëse LDK nuk e ka për herë të parë. Kjo parti ka vepruar kështu madje edhe në kohë lufte. Atëbotë kur lypsej mobilizim i përgjithshëm qytetar, LDK organizonte “zgjedhje të lira dhe demokratike”. “Zgjedhje të lira” mbi kufoma. Një njollë e përjetshme për këtë parti.

* * *

Agim Veliu është vetëm dëm kolateral i një situate të acaruar ndërmjet VV’së e LDK’së, që nuk ka të bëjë fare me “lirinë e shprehjes” të tij. Çështja është shumë më e thellë se kaq dhe ka të bëjë me marrëveshjen që duhet arritur – siç kërkon emisari amerikan – shpejt me Serbinë. Ka të bëjë me gatishmërinë ose jo, vullnetin ose jo për të arritur këtë ujdi. Ka të bëjë me protagonizmin politik në negociimin e marrëveshjes. Ka të bëjë me përgjegjësitë që iu takojnë bartësve të institucioneve.

Albin Kurti mund të mos jetë i interesuar që të arrihet shpejt marrëveshja me Serbinë. Por, edhe gjatë fushatës zgjedhore, edhe pas zgjedhjeve, edhe kur e ka marrë postin e kryeministrit ai e ka ditur se SHBA’të kërkojnë që kjo punë të kryhet shpejt. Nëse nuk ka qenë i gatshëm, është dashur të tregojë dhe të tërhiqet. Sikurse edhe LDK që është dashur të tregohet më e sinqertë në raport me obligimet e veta si “pronare” e gjysmës së qeverisë.

Në situatën e krijuar me pandeminë, tërheqja e palëve nga pozicionet nuk duhet konsideruar humbje, as nënshtrim. Është përgjegjësi karshi qytetarëve që po përjetojnë ditë të rënda, kontribut për stabilitetin e vendit që prioritet duhet ta ketë luftën kundër koronavirusit, e jo luftën e politikanëve kundër njëri-tjetrit.