Portali nga Shqipëria, e krahason Thaçin me Sheshelin

Përplasja e sotme në mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka qenë temë diskutimi në disa nga mediat në Shqipëri.

Portali ‘syri.net’ që ka për pronar djalin e Sali Berishës, Shkelzenin, presidentin Hashim Thaçi e krahason me liderin radikal serb, Vojslav Sheshel. Madje, deklarimet e Thaçit për Berishën, ky portal i quan gënjeshtra.

Por, kjo medie e Shqipërisë shkon edhe më tej, duke shkruar se presidenti Thaçi ka qenë personi që e ka ndaluar vizitën e Sali Berishës në Kosovë, e jo Ibrahim Rugova, dhe se siç kanë shkruar ata se për ndalimin e vizitës së Berishës në Kosovë, Thaçi ishte lavdëruar në Tiranë, duke thënë se ia kishte shpëtuar jetën.

“Hashim Thaçi që dikur mburrej lokaleve të Tiranes se si kishte bllokuar vizitën e Sali Berishës në Kosovë duke bindur Kushner se mund ta vrisnin, sot gënjente duke ja atribuuar këtë bllokim vizite në vitin 1999, Presidentit Ibrahim Rugova, kur në fakt ishte ky i fundit që kishte ftuar Sali Berishën. Thaçi që deri dje ishte dakord të dekoronte Sali Berishën, sot ka folur duke aluduar e duke për të përcjellë akuza që dikur i bënte Sheshel”, thuhet në shkrimin e syri.net për përplasjen Thaçi-Berisha.

Në shkrimin e tyre, Hashim Thaçin e quajnë si frikacak, që sipas tyre këto deklarata nuk guxon t’ia thotë Daniel Serverit dhe diplomatëve tjerë botërorë, të cilët sikurse Berisha janë kundër shkëmbimit të territoreve.

Po ashtu, sipas tyre Thaçi nuk guxon që t’i reagojë kryeministrit Ramush Haradinaj, dhe se presidenti i Kosovës duhet të tregojë se ka ka biseduar me djalin e miliarderit George Soros, Alex Soros.

“Reagimi i Hashim Thaçit sot, përfundimisht i heq maskën. Dy pyetje që Hashim Thaçi nuk i jep përgjigje: Pse nuk e komenton Daniel Server, që thotë se një korrigjim kufijsh do të thotë ndarje e Kosovës, dhe një ndarje tjetër sjell sërish luftë? E dyta, çfarë bisedoi me Alex Soros, dhe pse nuk i përgjigjet Ramush Haradinajt?”, thuhet më tutje në shkrimin e kësaj media online.

Sipas tyre, presidenti i Kosovës, është duke i bërë këto gjëra për vetëm një qëllim: shpëtimit nga arrestimi nga Gjykata Speciale.

Kurse, një pjesë e konsiderueshme e mediave në Shqipëri, akuzat e presidentit Hashim Thaçi ndaj Sali Berishës, i kanë lënë në heshtje, duke mos i raportuar fare.

SHPËRNDAJE