Presidenca konsideron involvimin për zhbllokimin e situatës në Parlament

Presidenti Hashim Thaçi e ka me Kushtetutë obligim të garantojë funksionimn demokratik të institucioneve si dhe të jetë unifikues i skenës politik. Ende nuk dihet nëse Presidenti do të aktivizohet për t’i takuar udhëheqësit e partive politike për të zhbllokuar punën e Parlamentit. Zyrtarë të Presidencës kanë thënë se gjatë javës se ardhshme do të dihet nëse do të ketë takime konsultative me partitë politike.

Hashim Thaçi ende nuk është deklaruar lidhur me bllokadën në Parlamentin e Kosovës. As nuk ka treguar nëse do të përfshihet aktivisht në zgjidhjen e këtij problemi, duke luajtur rolin e unifikuesit të skenës politike të Kosovës.

Në krejt këtë situatë, në Presidencë thonë se Hashim Thaçi nuk ka planifikuar ndonjë takim konsultativ me partitë politike për të zhbllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

“Duhet të këqyrim nesër”, ka thënë Ardian Arifaj, për Express, të dielën.

I pyetur lidhur me mundësinë e ndonjë takimi konsultativ me partitë për javën e ardhshme, Arifaj ka thënë se nuk mund të thotë diçka për shkak se s’ka ndonjë vendim apo qëndrim të Presidentit.

Presidenti Thaçi pas përfundimit të zgjedhjeve ishte takuar me Ramush Haradinaj. Kishte thënë se koalicioni PAN i ka numrat për krijimin e institucioneve.

Javën e kaluar, kur u mbajt seanca konstituive, PAN nuk e propozoi kandidatin për Kryetar të Kuvendit, pasi i kishin vetëm 60 vota, të pamjaftueshme për zgjedhjen e Kadri Veselit në pozitën e udhëheqësit të Parlamentit.

LDK e Vetëvendosje kanë organizuar edhe një seancë tjetër, të premten, mirëpo, PAN kishte refuzuar pjesëmarrjen. Më vonë në një takim konsultativ me Kryesuesin e Parlamentit, Adem Mikullovcin e VV’së, është vendosur që të mërkurën e ardhshme të ketë një takim konsultativ lidhur me mënyrën e konsituimit të Parlamentit.

Me Kushtetutë, koalicionit fitues të zgjedhjeve i takon pozita e Kryetarit të Parlamentit. Mirëpo, LDK e VV po e kundërshtojnë kandidaturën e Veselit.

Kryetari i PDK’së ka paralajmëruar tërheqjen prej pozitës së Kryetarit të Kuvendit nëse LDK e VV e votojnë Qeverinë e Ramush Haradinajt. Është thënë se kjo ofertë politike vlen vetëm deri të mërkurën kur edhe është caktuar takimi konsultativ i partive për vazhdimin e seancës konstituive, shkruan Gazeta Express.

Ndryshe, Presidenti mund t’i shpall edhe zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme nëse konstaton se institucioni i Parlamentit nuk po funksionon sipas Kushtetutës, e cila ja jep këtë të drejt Thaçit.