“Prezenca amerikane”, kjo foto miqësore e njeriut të PDK-së me Daçiqin e demanton Kadri Veselin

I pari i PDK-së, Kadri Veseli, sot nga Haga thumboi Lëvizjen Vetëvendosje, e Xhelal Sveçlën për takimin me të ashtuquajturin drejtor i Zyrës Serbe për Kosovë, Marko Gjuriqin.

Teksa Veseli tha se ulja në tavolinë me serbët është e dhimbshme kur në tavolinë nuk janë amerikanët, ai harroi se në vitin 2015-të, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, pati bërë një selfie bashkë ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiqin.

Në selfie, ishte edhe djali i vogël i Petrit Selimit. Edhe ky takim i Selimit me Daçiqin kishte ndodhur në Tiranë, por kjo në kuadër të një takimi vjetor të ministrave të Rajonit.

Në foto shiheshin fytyra paska e buzëqeshur e zëvendësministrit të Hashim Thaçit, dhe ajo e ngrysur e ministrit nga Serbia, Daçiq.

Ndërsa katër vite më vonë, një takim mes anëtarit të LVV-së Xhelal Sveçla dhe të ashtuquajturit drejtor i Zyrës Serbe për Kosovë, Marko Gjuriqi, ngriti zërat e qytetarëve të Kosovës.

Edhe pse, katër vite më herët në fotografinë e Selimit me Daçiqin, nuk kishte prezent amerikanë, Veseli, kësaj radhe nuk harroi të përmend prezencën e tyre në takimin Sveçla-Gjuriq.

“Kur janë amerikanët ulesh si shtet i pavarur dhe sovran dhe kërkon përgjegjësi. Kjo ulje është nënshtruese, pa kurrfarë përfitimi e ndërmjetësimi. Në tavolinë janë ulur edhe njerëzit që kanë bërë luftë. Nuk jam kundër uljes në tavolinë. Ju lutem. Mos të kuptohet se tani PDK është në opozitë dhe kemi ndryshuar qëndrime”, tha Veseli./ Insajderi.

SHPËRNDAJE