Prindërit obligohen të blejnë maskat për nxënësit, reagon deputetja e VV-së

Prindërit janë të obliguar të blejnë maskat për fëmijët e tyre.

Kështu thuhet në njërën nga pikat e shkruar në rregullat e fillimit të vitit të ri shkollor.

Mirëpo sipas Ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut ka prindër të cilët nuk kanë mundësi të blejnë maska për femijët e tyre.

“A kanë menduar institucionet për prindërit që nuk i kanë mundësitë të blejnë maskat mbrojtëse për fëmijët e tyre sidomos duke pasur parasysh që orari mësimor është nga e hëna në të premte! Ka prindër që kanë më shumë se 1 fëmijë dhe kjo do të jetë e papërballueshme për shumë familje”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu poashtu ka thënë se Qeveria ka pasur mundësi që të paktën të dhurojë nga një pako me maska e dezinfektues.

Por sipas saj Qeveria nuk ka menduar për nxënësit por vetëm për rrethin e tyre.

“Si është e mundur që edhe në rrethana të pandemisë, Qeveria të mos mendojë për mbrojtjen e fëmijëve dhe kujdesin për ta? Po bëhen 6 muaj prej kur është ndërprerë mësimi fizik dhe padyshim që kjo ka ndikuar tek fëmijët dhe në këto rrethana sa shumë e vlefshme për fëmijët, sidomos ata të mësimit fillor do të ishte që shteti të paktën në fillim t’ia dhuronte një pako me dezinfektues e maskë mbrojtëse shumë përdorimëshe! Por jo, ata kujdesen veq për veten dhe njerëzit e tyre e përreth tyre!”, thuhet në postimin e saj.