Problem i shoqërisë nuk është mosemancipimi i gruas por i burrit!

Aktivistja afrikano-amerikane e të drejtave civile, Rosa Parks, e cila nga kongresi amerikan njihet edhe si “zonja e parë e të drejtave civile”, në një kohë shumë të rëndë për shoqërinë amerikane u përball në të njëjtën kohë me dy sfida shumë të vështira. Ajo, me guximin e saj, të munguar sipas mentalitetit shoqëror, arriti ta sfidojë, si orientimin diskriminues gjinor të shoqërisë ashtu edhe ligjet raciste të shtetit. Ajo refuzoi t’u largohet problemeve, largim që ishte i mundshëm vetëm duke paguar çmimin e nënshtrimit ndaj përbuzjes. Ajo vendosi të paguante diçka tjetër. Ajo u përcaktua për çmimin e lirisë dhe dinjitetit. Çmim që nënkupton përpjekje, vuajtje, sakrifica e vetëmohim.

Dhe sot, si rezultat i pagesës së këtij çmimi, Amerika është një vend më i mirë se dje, ndërsa nesër do të jetë një vend më i mirë se sot. Dhe është kështu falë edhe forcës së një komuniteti që bota është mësuar ta thërras me emërtimin ‘gjini e brishtë’, e të cilit i takonte Rosa Parks. Pikërisht “brishtësia” e kësaj zonje, përballë kokëfortësisë së çeliktë të realitetit, është dëshmia më e mirë për paqëndrueshmërinë e këtij emërtimi si koncept.

Po cila është Rosa Parks në shoqërinë tonë? Fatmirësisht, jetojmë në një kontinent dallgët civilizuese të të cilit është vështirë të përballohen nga brigjet e lëkundura të prapambetjes. Këtu, jeta e Rosa Parks është më e mirë se që ishte pak kohë më parë por që padyshim nuk është aq e mirë sa do të duhej të ishte sot. Megjithëse ajo ka arritur të prekë lartësi më të mëdha se dje, beteja e saj nuk përfundon këtu. Ajo, duhet të vazhdojë të përpiqet që ta zgjeroj atë edhe më tepër. Vetë ekzistenca e kësaj përpjekje të saj, dëshmon se shoqëria jonë ende vuan nga të mos qenit e mirë. Dhe, përmirësimi i kësaj shoqërie, duhet të fillojë nga identifikimi i problemit të vërtetë të saj, i cili shpesh herë di të huqet.

Në fakt, problemi i vërtetë i shoqërisë sonë nuk është gruaja, por burri. Prandaj, përpjekja jonë kryesore, si shoqëri, nuk duhet të përqendrohet në emancipimin e gruas por në emancipimin e burrit. Sepse, pikërisht mentaliteti paternalist, patriarkal e egoist i burrave është pengesë për përparimin e grave. Përkrahja e burrit për gruan, nuk duhet të konceptohet si ndihmë për të po për vetveten.

Gjinia mashkullore është në një krizë dramatike, e cila po reflektohet përmes vështirësisë së madhe për t’u liruar nga prangat, të cilat ajo ia ka vendosur vetes, pra nga egoja e vet. Si pasojë e kësaj egoje po vuan një shoqëri e tërë, e duke qenë edhe vet pjesë e kësaj shoqërie, pa e kuptuar shkakun, po vuan edhe vet ai.

Pra, si mund të presim që të zhvillohemi si shoqëri kur lejojmë që gjysma e potencialit tonë, pra gratë, në vend se të përpiqen me tërë kapacitetin e tyre për daljen e shoqërisë sonë, si tërësi, nga margjinat provinciale e rajonale, janë të detyruara të harxhojnë energji për daljen nga margjinat brenda familjes e shoqërisë sonë ku, padrejtësisht, në shumë raste vazhdojnë të mbesin të ngujuara?

Rosa Parks u përball me dy sfida në të njëjtën kohë dhe këtë e bëri në një kohë shumë të vështirë. Sot, gratë në Kosovë përballen vetëm me një sfidë, mentalitetin nënvlerësues të shoqërisë ndaj tyre dhe këtë, për fat të mirë, e bëjnë në një kohë më të lehtë. Megjithatë, si për Rosa Parksin amerikane po ashtu edhe për atë shqiptare është vetëm një gjë që ka garantuar e garanton sukses. E ajo është: vendosmëria për të mos u dorëzuar para realitetit hipokrit.

Populli ynë, gjatë historisë së tij të vështirë, ka nxjerrë shumë gra që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e shoqërisë. Në këtë rast do ta veçoja vetëm një, ai i motrave Parashqevi e Sevasti Qiriazi, të cilat, më 1882, hapën shkollën e parë shqipe të vajzave, nën luftën e rreptë të kishës helene dhe Portës së Lartë, për ta penguar mësimin në gjuhën shqipe.

Fatkeqësisht, kontributi i këtyre grave nuk ka mjaftuar që të ndërrohet një mentalitet i tërë edhe sot e kësaj dite, megjithëse shumë më i moderuar në krahasim me dje. Prandaj, ende nuk ka vend për festë. Mund t’i gëzohemi rezultateve në beteja por jo fitores së luftës. E kjo luftë nuk është vetëm e grave. Është e të gjithë njerëzimit. Sepse, nuk kemi të bëjmë me luftë midis burrave e grave por me luftë midis drejtësisë e padrejtësisë. Prandaj, të gjithë ata që janë për drejtësi e barazi duhet të jenë në të njëjtin anë.

Thirrja ime sot është: të punojmë së bashku, me vetëmohim, deri sa të arrijë ajo ditë kur momenti i lumtur për prindërit, ai i lindjes së një vajze, të mos cenohet nga brenga për të ardhmen e saj në shoqërinë të cilës i përket.
Faleminderit shumë!

(Ky është fjalimi i kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, Agim Kuleta në seancën me rastin e 8 Marsit).

SHPËRNDAJE