Profiterë të krizave

Historitë kur përfitohet nga krizat, politikisht e financiarisht, nuk janë të reja. Vetëm në pak më shumë se njëzet vitet e fundit, qytetarët kanë qenë dëshmitarë të plot të tillave. Madje edhe gjatë kohës së luftës. Njësoj po vazhdon edhe tash, në kohë pandemie.

Shkruan: Imer Mushkolaj

Sa herë ka kriza politike, ose të tjera, grupe të caktuara, ndër të cilat edhe partiake, ngarendin të përfitojnë aq sa munden e si të munden. E rëndësishme është që, në emër të kontributit për qytetarët, të përfitojnë sa më shumë.

Këso historish nuk janë të reja. Vetëm në pak më shumë se njëzet vitet e fundit, qytetarët kanë qenë dëshmitarë të plot të tillave. Madje edhe gjatë kohës së luftës, një kohe të vështirë për secilin.

Sa e sa miliona janë mbledhur nga qeveria në ekzil e viteve ’90 dhe deri më tash nuk kanë dhënë llogari ata që do të duhej të japin. Për më shumë, ka ndër ta që vazhdojnë të shesin moral e të bëjnë politikë, ndërkohë që nuk kanë zbardhur asnjëherë para qytetarëve dhe para institucioneve të Kosovës se çfarë është bërë me ato para që janë mbledhur me mund e djersë, brenda e jashtë vendit.

Të tjerë nuk kanë dhënë llogari se çfarë është bërë me fondet e mbledhura gjatë luftës dhe për luftën. Të tretët kanë përfituar nga pasuria publike e privatizuar, shkretuar e sakatuar, ndërkohë që qytetarët janë varfëruar.

Por përfituesit apo, siç njihen në zhargonin popullor, profiterët më të mëdhenj, janë ata të politikës. Ata që, kur vjen puna për poste e privilegje harrojnë parime e premtime dhe bëhen pjesë e planeve nga më të ndryshmet, që në një situatë normale nuk do t’i vinin ndërmend një njeriu me mendje të shëndoshë. Kështu ka ndodhur vazhdimisht këto njëzet vjet dhe nuk ka si të ndodh ndryshe as tash.

Sa herë kemi dëgjuar liderë partish të thonë se nuk bëjnë kurrsesi koalicione me parti të caktuara, për të vepruar të kundërtën menjëherë. Sa akuza për vrasje kundërshtarësh politikë janë shpërndarë ndër vite, për të përfunduar në një shtrat “viktimat” me “xhelatët”. Sa akuza për hajni, krim e korrupsion janë thënë e stërthënë, për të përfunduar bashkë në koalicon. Kështu ka qenë dhe kështu duket se do të vazhdojë edhe tash. Dhe gjithë kësaj i hapi rrugë provokimi i rrëzimit të qeverisë nga partnerët e koalicionit.

* * *

VV dhe LDK vazhdojnë ta fajësojnë njëra-tjetrën për atë që ndodhi javën e kaluar. Duhet të jesh fort i papërgjegjeshëm të shkaktosh krizë politike në mesin e një pandemie globale dhe pastaj të përpiqesh të përfitosh nga situata e krijuar.

Askush nuk iu ka faj VV’së e LDK’së se nuk mundën të qeverisin bashkë më shumë se pesëdhjetë ditë. Por, partitë e përgjegjshme ndaj qytetarëve nuk do ta sillnin asnjëherë vendin në një situatë të vështirë, pa marrë parasysh se çfarë mund të jenë përfitimet politike.

Askush nuk thotë se dy parti duhet të qeverisin me zor, por të paktën do të duhej të merren vesh që fundin e bashkëqeverisjes ta shtyjnë për pak javë, deri sa të qetësohet situata me pandeminë.

Kështu, një pjesë e pushtetit të deridjeshëm, opozitë e sotme, tashmë janë të gatshëm që të bëhen pjesë e një koalicioni me LDK’në. Pra, LDK mund të bashkëqeveris me ato parti të cilat, zyrtarë të saj, vetëm para pak javësh i konsideronin hiç më pak se grupe kriminale. Mund të bashkëqeveris me ato parti të cilat, deri dje, i konsideronte e keqja e madhe e këtij vendi. Me to, pra, LDK synon t’i përmirësojë, siç thotë, raportet me Amerikën.

Kur vjen puna te pushteti, siç ndodh rëndom në Kosovë, harrohet gjithçka. Kështu VV e LDK i harruan akuzat e kundërakuzat e shumta dhe krijuan koalicionin. Tash edhe LDK dhe partitë në opozitë mund t’i harrojnë akuzat dhe të qeverisin bashkë “për të mirën e vendit”.

* * *

Situatën fatkeqe në të cilën gjendet vendi secila nga partitë po e shfrytëzon në mënyrën e vet. Së fundi, qeveria e Albin Kurtit nuk hezitoi që në krye të ndërmarrjeve publike të emërojë anëtarë të Vetëvendosjes. Një model ky i kapjes së shtetit, të cilin qytetarët e ndëshkuan në zgjedhjet e 6 tetorit. Një model që nuk bën dhe nuk duhet të duatrokitet madje as nga militantët partiakë.

Në këtë mënyrë, atyre që qeverisën deri dje do t’iu jepen argumente se “të gjithë janë njësoj”. Në këtë mënyrë do të ketë përpjekje që të njëjtësohen bëmat e tyre, keqqeverisja, nepotizmi e ndikimi politik. Në këtë mënyrë do të nis së shuari shpresa e qytetarëve se mund të ketë ndryshime për të mirë.

Në situata krize zakonisht triumfojnë matrapazët e të papërgjegjshmit dhe pësojnë qytetarët. Në situata krize më së shumti vlen parimi i përfitimit pa skaj, në çfarëdo mënyrë dhe me çfarëdo mjetesh. Për fat të keq, kështu po ndodh në Kosovë.

SHPËRNDAJE