Prokuroria flet për rastin e Gani Thaçit

Ditën e 24 tetorit të këtij viti, vëllai i madh i Presidentit, Gani Thaçi, kishte sulmuar fizikisht dy prej drejtorëve në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Fajin e të vëllait e kishte pranuar edhe Presidenti Thaçi, i cili kishte kërkuar që ai të hetohet në përputhje me ligjin. Por, ndonëse po bëhen rreth një muaj nga ky rast, ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim ndaj vëllait të Presidentit.

Në Prokurori thonë se hetimet kanë përfunduar dhe se i mbetet vetëm Prokurorit të rastit që të ngrejë akuzë, ose të marrë veprime të tjera, shkruan Gazeta Express.

Mbledhja e tetorit në Byronë Kosovare të Sigurimeve nuk përfundoi edhe aq mirë. Dy prej drejtorëve të BKS’së, u sulmuan fizikisht nga vëllain i madh i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Gani Thaçi, e kishte sulmuar fizikisht drejtorin e Byrosë Kosovarë të Sigurimeve (BKS), Blerim Pushkollin dhe Kryetarin e Këshillit të Kompanive të Sigurimit, shtetasin slloven Gianni Sokolic.

Menjëherë pas përleshjes, Prokuroria Themelore bëri të ditur se i lënduar nga ky sulm kishte mbetur vetëm Blerim Pushkolli, drejtori i BSK’së. Por, një ditë më vonë doli të jetë i lënduar edhe shtetasi slloven, Gianni Sokolic.

Deri te kjo përleshje dyshohet se kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje rreth një draft statuti. Pas kësaj përleshjeje, Thaçi ishte intervistuar dhe më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.

Për rastin në të cilin iu përfshi vëllai ishte deklaruar edhe i pari i vendit, Hashim Thaçi. Thaçi kishte thënë se është i njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një “përleshje sporadike fizike”.

“Deklaroi se asnjëherë nuk do ta arsyetojë asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky. Derisa iu kishte bërë thirrje organeve të rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin”, ka thënë Thaci.

“Të qenit familjar i një zyrtari të lartë nuk nënkupton imunitet dhe amnisti për askënd. Përkundrazi. Përgjegjësia është individuale. I ftoj organet e rendit që ta trajtojnë rastin në përputhje me ligjin”, kishte thënë presidenti.

Por, ndonëse po bëhen rreth një muaj që prej kur ndodhi ky rast, ende nuk është marrë ndonjë masë ndaj Thaçit. Rasti duket se është lënë në harresë.

Institucionet e hetuesisë po thonë që ende nuk ka asgjë të re për këtë rast.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha i ka thënë Gazetës Express se ende nuk ka ndonjë të re nga ky rast.

Deklaron se hetimet kanë përfunduar, dhe se tani mbetet vetëm që Prokurori i rastit të ngrit akuzë ose të ndërmarr veprime të tjera.

“S’ka të reja. Rasti është në procedurë të rregullt deri t’i vijë rendi. I është nda Prokurorit, edhe kur të i vjen rendi kryhet shpejt. Rasti ka përfunduar, janë provat. Edhe hetimet kanë përfunduar, tani vetëm mbetet që Prokurori i rastit me ngrit akuzën ose me ndërmarr ndonjë veprim tjetër”, ka thënë Berisha për Express.

Express ka kontaktuar edhe me avokatin e Gani Thaçit, Skënder Musën, por as ai nuk ka më shumë informacione.

“Rasti është në fazën fillestare të hetimeve, tash për tash nuk kemi asnjë informacion”, tha avokati Musa.

Ndërkohë, që Prokurori i rastit, Ali Ajdini nuk ka dashur që të flasë për këtë çështje, duke thënë se është i zënë.

Për këtë rast, kishte reaguar edhe Këshilli i Investitorëve Evropianë. Në një njoftim për media ata e kishin dënuar fuqishëm këtë sulm, duke u shprehur se ngjarjet e tilla janë të papranueshme dhe tejet destruktive për një ambient të mirëfilltë të biznesit në Kosovë.

Ndryshe, Byroja Kosovare e Sigurimit është themeluar me 7 shtator të vitit 2011 nga kompanitë e sigurimit të licencuara për të operuar në Republikën e Kosovës, bazuar në Ligjin mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

Qeveria e Republikës së Kosovës i njeh Byrosë Kosovare të Sigurimit, statusin e Byrosë Nacionale të Sigurimit me të drejta të pakufizuara, në cilësi të byrosë paguese dhe byrosë trajtuese, që garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtar të sigurimit.

Në kuadër të Byrosë Kosovare të Sigurimit funksionon Fondi i Kompensimit, Sigurimi Kufitar, Qendra Informative e Sigurimit dhe Kartoni i Gjelbër.

Përndryshe, BKS nuk është institucion qeveritar apo publik që financohet nga buxheti i Republikës të Kosovës, por financohet plotësisht nga Kompanitë e Sigurimit në Kosovë, të cilat funksionojnë si shoqëri tregtare, konform Ligjit mbi shoqëritë tregtare, Ligjin mbi Sigurimet, si dhe Ligjin mbi Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia.

SHPËRNDAJE