Prokuroria kërkon paraburgim për gjykatësin Sali Berisha, Policia tregon se çka gjeti në banesën e tij

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), do të kërkojë 30 ditë paraburgim ndaj gjykatësit të Gjykatës Themelore në Pejë, Sali Berisha, i arrestuar një ditë më parë nën dyshimet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Prokurori i rastit, Blerim Isufaj, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se kërkesën për masën e paraburgimit, ende nuk e ka dorëzuar në gjykatë, mirëpo sipas tij, në të do të përfshihet propozimi për caktimin e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar gjatë së premtes se një ditë më parë e ka prangosur gjykatësin Berisha nën dyshimet për përfshirjen e tij në afera korruptive.

Në njoftimin e Policisë thuhet se përveç dyshimit për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ai dyshohet se ka kryer edhe veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, gjegjësisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacione nga viktima, që ka pasqyruar abuzimin e funksioneve gjyqësore, veprime që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit si dhe imazhin e sistemit gjyqësor. Gjatë procesit të hetimit preliminar janë ndërmarrë masat adekuate për të identifikuar formën e aplikuar më parë të korrupsionit nga i inkriminuari”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, në koordinim me Prokurorinë Speciale janë aplikuar praktikat e njohura nga Kodi i Procedurës Penale, duke u mbështetur fuqishëm në një hetim profesional të bazuar në dëshmi.

“Gjatë aplikimit të masave hetimore kemi siguruar dyshimin e bazuar se i inkriminuari ka kërkuar realizimin e ofertës, në atë mënyrë që i njëjti kërkon/pranon përfitimin material, (kohë më parë dyshohet se janë dorëzuar nga viktima dhe janë pranuar nga i dyshuari i lartshënuar katër mijë (4.000.00) euro), në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në cilësinë e gjyqtarit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu thuhet se gjatë operacionit policor, të zhvilluar më 19 shtator 2019, i dyshuari ka kërkuar apo pranuar shumën prej dymijë eurove, për të përmbyllur ofertën e precizuar në proces për të finalizuar shumën prej gjashtëmijë eurove, në lidhje me lëndën penale të përmbyllur me aktgjykim kohë më parë.

“Pas arrestimit i dyshuari është kontrolluar në prezencën e avokatit mbrojtës, në zyrën e NJRHKEK-së Pejë, me ç’rast i janë gjetur në xhep paratë dymijë (2.000.00) euro, të cilat janë përdorur për aplikimin e masës së fshehtë ‘simulim i veprës së korrupsionit’. Me aprovim verbal të prokurorit, është kontrolluar banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar: • një armë zjarri, tipi Zaza-min, kalibër: 8mm • një karikator dhe dhjetë (10) fishekë të kalibrit 8mm • dhjetëmijë euro (10.000.00) euro • shkresa, aktgjykime dhe proces verbale gjyqësore Me urdhër të prokurorit special, i dyshuari është ndaluar në qendër të mbajtjes për 48 orë”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar një ditë më parë për arrestimin e gjykatësit Sali Berisha, nën dyshimin për vepra penale të korrupsionit.

Sali Berisha është gjykatës në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Pejë.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE