Prokuroria konfirmon bastisjen në shtëpinë e Burdushit

Prokuroria Themelore e Prizrenit e ka konfirmuar se po kryhet kontroll në shtëpinë e “Burdushit”, ku kryen veprimtarinë e tij prej mjekut popullor.

Shtëpia e mjekut popullor, Hysri Peqanit, i njohur si Burdushi, sot ishte cak i Policisë dhe Prokurorisë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe prokurori Petrit Kryeziu. Ai tha se momentalisht ndodhen në shtëpinë e Burdushit por përveç konfirmimit se ka filluar bastisja nuk mund të japin më shume detaje.

“Na jemi këtu sapo kemi fillu bastisjen”, tha Kryeziu.

Gazeta Express ka siguruar pamjet nga shtëpia e Burdushit, ku shihet ekipi policor që ia ka bastisur shtëpinë atij sot në mëngjes.

Ndryshe, para pak ditësh Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj Peqanit për mashtrim të një klienti të tij, të cilit, sipas aktakuzës, ia ka marrë 2 mijë euro.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, “Burdushi” , akuzohet se nga data 20.06.2014 deri me 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë rast të dëmtuarin./Express

SHPËRNDAJE