PSD e AKR të kënaqura me njëra-tjetrën, por japin lajmin e keq për simpatizantët e tyre

PSD dhe AKR janë të kënaqura me bashkëpunimin e Shpend Ahmetit dhe Selim Pacollit në Prishtinë. Siç mëson Gazeta Express nga burime të mirinformuara, këtë bashkëpunim dy subjektet politike duan ta zgjerojnë.

AKR e PSD pëlqejnë se si po funksionojnë bashkë në qeverisjen e Prishtinës. Shpend Ahmeti, lider i PSD’së dhe kryetar i Prishtinës, i ka dhënë postin e nënkryetarit, Selim Pacollit të AKR’së, kur këto subjekte formuan koalicion në kryeqytet. 

Express ka mësuar se këto dy subjekte, nisur nga bashkëpunimi i mirë që kanë në Prishtinë, po diskutojnë për një zgjerim të tij.

Nuk dihet formula për arritjen e këtij bashkimi, përderisa të dyja partitë gjenden në anë të kundërta; njëra në opozitë, e tjetra në qeveri me disa ministri të saj.

Gazeta Express ka pyetur gjatë së enjtes zyrtarë të AKR’së dhe PSD’së, nëse këto dy subjekte po diskutojnë për koalicion.

Nënkryetari i AKR’së, Fatmir Matoshi, i ka thënë Gazetës Express se partia e tij është shumë e kënaqur me bashkëpunimin në Prishtinë dhe se planifikojnë që bashkëpunimin si në kryeqytet, ta bartin edhe në komunën e Kamenicës, të cilën e udhëheq Qëndron Kastrati i PSD’së.

“Për momentin ne e kemi një koalicion në Prishtinë edhe e vlerësojmë shumë mënyrën se si po na funksionon koalicioni, edhe PSD’në si parti të re”, ka thënë nënkryetari i AKR’së.

Matoshi thotë se kanë synim që ta zgjerojnë bashkëpunimin me partnerin e tyre Shpend Ahmetin, por nuk ka diçka konkrete për një koalicion të përgjithshëm. Ai tregon se këto dy subjekte bisedimet i kanë të fokusuara në Kamenicë.

“Nuk mund të them se po flasim konkretisht për koalicion më të gjerë, por po jemi duke folur për bashkëpunim në Kamenicë”, ka thënë Matoshi për Express.

Ndërsa në Partinë Socialdemokrate mohojnë se kanë diskutuar me ndonjë nga subjektet politike për koalicion. Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuçi, ka thënë se kjo parti është e fokusuar në zgjerimin e saj e vetme.

“Partia Socialdemokrate është e fokusuar në shtrirjen dhe zgjerimin e saj. Ndërsa, nuk kemi biseduar apo diskutuar për koalicion të mundshëm me partitë tjera”, ka thënë Kuçi për Express.

SHPËRNDAJE