PSD fajëson AAK-në për debaklin në zgjedhje

Ish-deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), tashmë pjesë e Partisë Socialdemokrate (PSD), rrezikojnë të mos kenë asnjë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Në bazë të rezultateve të deritanishme të KQZ-së, koalicioni AAK – PSD do t’i ketë 14 ulëse, por asnjëra nga këto ulëse nuk do t’i takojë PSD-së.

Kandidati për deputet nga radhët e PSD-së, Salih Salihu, duke folur për rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit për “Zërin” ka thënë se vlerëson që partia e tij ka shënuar rënie në numrin e votave për faktin se lidhi koalicion me një parti që ishte në pushtet mandatin e kaluar.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës ndryshimin e panë te LVV-ja e te LDK-ja. “Unë nuk e di sa vota i kemi si PSD, pasi e kam parë që rezultati është i dobët, kaq.

Është vërejtur që ka qenë gabim ndoshta lidhja e koalicionit me AAK-në dhe mua më nuk më ka interesuar fare t’i shikoj rezultatet.

Aq sa kam mundur unë të vërej është që koalicioni që kemi bërë me AAK-në nuk ka qenë shumë i dëshiruar për qytetarët dhe ata më shumë kanë pasur dëshirë për ndryshim.

I gjithë qëllimi i tyre ka qenë të japin votë kundër PDK-së dhe e kanë parë që PDK-në mund ta largojë vetëm LVV-ja dhe LDK-ja në këtë rast. Kështu vlerësoj unë”, ka thënë ai.

Sipas Salihut, partia e tij do të vazhdojë punën pavarësisht rezultatit të dobët. “PSD-ja vazhdon punën, ky është qëndrimi i Këshillit të Përgjithshëm tonë.

Ne kemi cilësinë tonë, kuadrin tonë, këto janë gabime në hapa, që ndoshta i kemi bërë, por do të punojmë, s’do të ndalemi. Ne jemi të gjithë të punësuar, sepse e kemi profesionin në fushën tonë dhe ne do të vazhdojmë punën tonë duke kontribuar në mënyra të ndryshme, edhe në politikë, por edhe në profesionet tona.

Pra nuk ka kurrfarë dëshpërimi, sepse angazhimi ynë në politikë ka qenë pasion dhe vullnet yni për të mirën e qytetarëve. Kjo është gjithçka në rregull. Eventualisht ndonjëherë mund të bëhen gabime në hapa dhe ky është një ndëshkim i qytetarëve”, ka thënë ai./ZËRI

SHPËRNDAJE