Pse duhet votuar LDK-AKR ose Vetëvendosje, por jo PDK-AAK-NISMA

Shkruan: Gazmend Morina

Zgjedhjet e së dieles pritet të jenë shumë interesante, pasi që janë krijuar dy koalicione të mëdha parazgjedhore dhe në anën tjetër kemi Vetëvendosjen si alternativë të tyre, për arsye se nuk ka udhëhequr asnjëherë me Kosovën.

Në dy shkrime të ditëve të fundit kam shkruar për rreziqet që e presin Ramush Haradinajn edhe nëse koalicioni PDK-AAK-NISMA arrin të dalë partia e parë, si dhe për Vetëvendosjen, e cila sipas meje e ka të gabuar moton zgjedhore, për shkak se duhet të votohet me mendje e jo me zemër.

Sot dua të fokusohem më shumë te koalicioni LDK-AKR dhe se për kë duhet të votojnë qytetarët e Kosovës me 11 qershor.

Pas lidhje së koalicionit PDK-AAK-NISMA, koalicionit LDK-AKR iu kanë zvogëluar gjasat për fitore, ani pse nuk është e pamundshme fitorja e tyre.

Mendoj se Avdullah Hoti është një kandidat që do t’i sillte qeverisje të mirë Kosovës, krejt kjo duke pasur parasysh sukseset e tij si ministër i Ministrisë së Financave, i cili ka arritur suksese të konsiderueshme në këtë detyrë.

Argument tjetër për mua pse Avdullah Hoti do të ia vlente të zgjedhej kryeministër është fakti se ai asnjëherë nuk ka vrapuar pas pozitave, e që është e kundërta e Ramush Haradinajt, i cili 18 vite të angazhimit politik ia ka kushtuar ngarendjes pas pozitës së kryeministrit. Populli ynë personat si Haradinaj në mënyrë pezhorative i quan “karrierista”.

Hoti është një person familjar, profesor i respektuar, politikan pa skandale, fakte këto të mjaftueshme për t’i plotësuar disa kritere bazike për t’u zgjedhur kryeministër.

Kujtojmë se gjasat për marrjen e votave të reja në krahasim prej vitit 2014, LDK-së ia rrisin edhe dy kandidatet me mbulesë, të cilat pritet t’i sjellin vota të reja, të cilat para tri vitesh kishin shkuar në listën e PDK-së, sikurse që vota të reja nga PDK në LDK do të dërgoj edhe Ramiz Kelmendi.

Edhe ShBA-ja kur hyn në beteja, të gjithë jemi dëshmitar se kërkon aleanca me shtetet e tjera. Madje, të gjithëve na kujtohet koha kur edhe Shqipëria e ndihmonte ShBA-në me ushtarë në Afganistan.

Këtë duhet ta mendoj Vetëvendosje, e cila për dallim nga LDK-ja dhe PDK-ja, nuk po arrin të krijoj aleanca politike. Ky është një hendikep për Vetëvendosjen, të cilën nuk e bën parti që seriozisht do të mund ta sfidoj koalicionin PDK-AAK-NISMA.

Përndryshe, për Albin Kurtin ka shumë arsye pse do të duhej të votohej në këto zgjedhje. Është njeri i pakorruptuar, person që thuhet se ka lexuar mbi 1 mijë libra dhe me njohuri të mëdha shkencore, por edhe njeri i sakrificave. Po ashtu njerëzit e Vetëvendosjes janë kryesisht të generatës së re dhe përgjithësisht të pa korruptuar, sikurse edhe lideri i tyre.

Por, mendoj se koha që Vetëvendosje të del e para nuk ka ardhur akoma, e veçanërisht jo në zgjedhjet e të dieles.

Duke e pasur parasysh se koalicioni PDK-AAK-NISMA dominohet nga PDK, por edhe udhëheqet nga Ramush Haradinaj, i cili është i etur për këtë pozitë, e jo për t’i ofruar ndryshimin Kosovës në qeverisje, atëherë qytetarët nuk duhet ta votojnë këtë koalicion. Megjithatë, mendoj se i ka gjasat më të mëdha për të dalë fitues i këtyre zgjedhjeve, por jo me numër të mjaftueshëm të deputetëve sa për ta udhëhequr Qeverinë.

Në rast të fitores, koalicioni PDK-AAK-NISMA në rastin më të mirë nuk do të mund të merr më shumë se 42 deputetë, e që do të mvarej direkt nga Lista Serbe dhe këtu do të ndërhyj faktori ndërkombëtar, i cili nuk do të lejoj qeveri me më pak se 51 deputetë shqiptar.

Unë apeloj që të votohet koalicioni LDK-AKR ose VETËVENDOSJE, sepse janë alternativa e vetme në këtë moment, e ndryshimit të qeverisjes në Kosovë.

Megjithatë, mendoj se asnjëri nga tre personat e nominuar për kryeministër, nuk do ta udhëheq Qeverinë e ardhshme të Kosovës, në krye të së cilës do të vjen një person pas një kompromisi të ri politik ose do të shkohet në zgjedhje të reja në vjeshtë, së bashku me ato lokale.

(Autori është kryeredaktor i portalit Veriu.info. Qendrimet janë personale)

SHPËRNDAJE