Pse i tha ambasadore e Thaçit, Haradinaj përsëri flet për Vlora Çitakun

I pari i Qeverisë ka folur edhe sot gjatë ditës për ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitakun të cilën ditë me parë e quajti ambasadore të Thaçit. Nga Gjilani, kryeministri sqaroi se pavarësisht se Çitaku disa herë e ka paraqitur mirë interesin e vendit, ka dyshime të bazuara mirë se në Uashtingon ajo nuk ka paraqitur realisht gjendjen reale dhe atë çka mendon lidershipi kosovar.

“Është e vërtetë se ambasadorja në raste të caktuara e ka paraqit shumë mirë interesin e vendit, por, kur na kemi keqkuptime me Uashingtonin atëherë ka dyshime të bazume se arsyet për keqkuptim janë edhe mosparaqitja e gjendjes reale në vend se çka mendon lidershipi për temat e vendit”, deklaroi Haradinaj.

Tutje, ai shtoi se këto rrijnë vetëm keqkuptime, por, nëse të njejtat përkeqësohen ambasadorja do te ketë përgjegjësi.

“Këto rrinë keqkuptime nëse ka përkeqësim si po thuhet të marrëdhenieve atëherë gjithë e kemi një bazë të përgjegjësisë duke e përfshirë edhe ambasadoren”, përfundoi ai.

Haradinaj para pak ditësh tha se është për keqardhje që Kosova nuk e ka një ambasadore të denjë në SHBA, duke shtuar se Çitaku është ambasadore e Thaçit në SHBA dhe jo e Kosovës.

Ndërkaq pas komenteve të Haradinajt, kishte reaguar edhe Çitaku. Ajo tha se nuk do të ketë asnjëherë kacafytje me kryeministrin e Kosovës.

Çitaku po ashtu ka shkruar se ajo nuk ka qenë asnjëherë selekive gjatë përfaqësimit të Kosovës në Amerikë, duke shtuar se nuk është faji i saj që në Kosovë nuk ka konsensus politik për tema të rëndësishme./Express

SHPËRNDAJE