Pse Kadri Veseli nuk e bëri sekretar të partisë Sami Lushtakun?

Kryesia e re e Partisë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e saj të parë ka zgjedhur dhe plotësuar strukturën e re drejtuese të partisë, duke emëruar nënkryetarët, sekretarin dhe një numër udhëheqësish të departamenteve sektoriale, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Pozita të rëndësishme kanë marrrë Uran Ismaili, që u zgjodh sekretar i përgjithshëm i PDK-së, Agim Aliu që mori pozitën e nënkryetarit së bashku me Shaqir Totajn.

Pozitën e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, e ka synuar edhe Sami Lushtaku, që dështoi ta marrë.

Sipas burimeve të Gazetës Online Veriu.info Lushtaku ka synuar dhe luftuar shumë për të marrë pothuajse pozitën më të rëndësishme në PDK pas asaj të kryetarit.

Por Kadri Veseli ka vendosur që këtë pozitë ta japë për njërin nga njerëzit e tij më të afërt, Uran Ismailin.

Sami Lushtaku para pak kohësh ishte njëri nga kritikët më të ashpër të Kadri Veselit, duke paralajmëruar që do të kërkojë shkarkimin e tij në rast se i humb zgjedhjet.

Lushtaku duke folur për zhvillimet në vitin 2018 kishte thënë se beson në Kadri Veselin si kryetari i PDK-së, por, nëse ai humbet edhe një parë zgjedhje duke mos i fituar ato duhet të jap dorëheqje nga posti i kryetarit.

“Besoj shumë në kryetarin Kadri Veseli, por, ai nëse humbet edhe një parë zgjedhje duhet të jap dorëheqje. Veseli duhet të ketë kundër kandidatë të cilët dalin dhe synojnë postin e kryetarit të PDK-së, nuk duhet të jetë një kandidatë, por të ketë më shumë”, pati thënë Lushtaku.

Pas humbjes së zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019 nga PDK, e cila doli e treta, Lushtaku ka heshtur krejtësisht duke mos e thënë asnjë fjalë ndaj kryetarit të partisë së tij.

Në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PDK-së, Sami Lushtaku, mori shumë më pak nga ajo që kishte synuar, një pozitë inferior, udhëheqës i Departamentit për Vlera të Luftës.

Me pozitë inferiore në PDK ka mbetur edhe Elmi Reçica, njëri nga bashkëpuntorët më të afërt të Veselit në të kaluarën, që dikur mbante pozitën e zëvendësit në SHIK.

Reçica tani e tutje do të drejtojë Departamentin për Çështje të Diasporës.

Një pozitë të ngjashme, pothuajse fare të parëndësishme, e ka marrë edhe ish nënkryetari i kësaj partie, Xhavit Haliti, që tash e tutje do të mbajë pozitën e drejtuesit të Departamentit për Grupe të Interesit.

Pa pozita në PDK kanë mbetur edhe disa nga njerëzit më të rëndësishëm të kësaj partie dikur, si Rrustem Mustafa, Adem Grabovci, Besim Beqaj e Hajdar Beqaj.

Kryetari i PDK-së tash e një kohë ka paralajmëruar reforma të thella në PDK./Veriu.info./

SHPËRNDAJE