Publikimi i ditarit të Astrit Deharit: Reagon bashkëshortja

Arta Boshtraj-Dehari, bashkëshortja e Astrit Deharit, ka kritikuar publikimin në media të ditarit të aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një shkrimi në Facebook, Boshtraj-Dehari ka deklaruar se ditari është “shumë personal dhe nuk duhet të bëhet publik”.

“Dje dhe sot janë shfaqur nëpër gazetat dhe rrjetet sociale, shkrime nga ditari i Astritit. Kam një pyetje, për këto media dhe këto portale se nga kush po i marrin këto shkrime?

Ku ne si familje nuk e kemi as një pjesë të ditarit të Astritit. Mendoj se ditari është shumë personal dhe nuk duhet të bëhet publik”, ka shkruar ajo.

Dje kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka mbajtur një konferencë për media përmes së cilës ka njoftuar se Ambasada e Zvicrës ua ka dorëzuar atyre raportin e Institutit zviceran në lidhje me vdekjen në burg të Astrit Deharit.

Shala e ka prezantuar para gazetarëve një zarf, i cili ishte i mbyllur. Ka thënë se përmbajtjen e tij nuk e di, pasi që ai zarf do t’i dorëzohet prokurorit të rastit, i cili do ta trajtojë.

SHPËRNDAJE