Punësimet vazhdojnë, Telekomi drejt falimentimit

Numri i punëtorëve në Telekomin e Kosovës po rritet, pavarësisht që kjo e fundit po kalon në një gjendje të rëndë financiare.

Sipas burimeve të Gazetës Alo brenda Telekomit të Kosovës, që nga fillimi i vitit 2018 e deri më tani numri i të punësuarve është rritur për rreth 200 persona.

Ky burim thotë se nga numri i madh i të punësuarve po u shkaktohen telashe në kryerjen e shërbimeve ngase nuk po ka hapësira të mjaftueshme për punëtorët e rinj. Po ashtu sipas burimeve të gazetës, të punësuarit kryesisht janë militantë të partive politike në pushtet dhe nuk janë të kualifikuar për pozitat që po emërohen.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë për Gazetën Alo se ministria është në dijeni për këtë çështje duke shtuar se këta persona janë punësuar me kontratë mbi vepër.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik, respektivisht Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP), është në dijeni se për periudhën për të cilën flisni janë punësuar persona me kontratë mbi vepër (të përkohshme) dhe kjo nga ana e Telekomit të Kosovës është arsyetuar me rritjen e volumit të punës që lidhet me periudhën e verës për shkak të pranisë së diasporës në vend, kur edhe rritet fluksi i promovimit të shërbimeve”, thuhet në përgjigjen e MZhE-së, për Gazetën Alo.

Mirëpo, pavarësisht kësaj në ministri thonë se nuk janë pajtuar me këtë trend të punësimit.

“Ne e kemi analizuar situatën dhe s’jemi pajtuar me këtë trend. Gjithashtu jemi duke shikuar nga aspekti ligjor nëse vendimi për rekrutimet në fjalë është i ligjshëm, duke pasur parasysh që personi që ka nënshkruar atë nuk ka pasur një vendim valid, rrjedhimisht ka qenë inkopetent. Departamenti Ligjor është duke shqyrtuar këtë dhe çfarëdo veprimi që nuk është konform ligjit do të anulohet”, thuhet më tutje në përgjigjen e MZhE-së.

Në ministri, deklarojnë se nëse Telekomi ka vlerësuar se ka pasur nevojë për këta punëtorë, kjo çështje hyn në domenin e menaxhmentit të kësaj NP-je dhe MZHE nuk mund të ndërhyjë në aspektin operues.

Gazeta Alo për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga Zyra e Informimit në Telekomin e Kosovës për të ditur numrin e të punësuarve dhe kapacitet e tyre për të pranuar punëtorë të rinj, por kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare për shkak të borxheve të cilat kapin shifrën prej 60 milionë eurove.

Në vitin 2010 Qeveria e Kosovës e kishte filluar procesin e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Telekomi i Kosovës dy herë i është nënshtruar procesit të privatizimit, por dy herë radhazi Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përmbyllë me sukses këtë proces.

Kësaj gjendje të rëndë financiare të Telekomit i ka kontribuuar edhe vendimi i Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit në vitin 2016 ku përmes një vendimi të kësaj gjykate Z-Mobile fitoi betejën ndaj PTK-së, me të cilin vendim kjo e fundit detyrohej t`i paguajë rreth 30 milionë euro Devolli Group apo Z-Mobile, dhe t`ia jap 100 mijë numra shtesë me shërbime 3 dhe 4 g të internetit për të gjithë numrat.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE