Punëtorët e Telekomit kërkojnë rritje pagash

Qeveria e Kosovës, ditë më parë shkarkoi Bordin e Telekomit për siç thuhet keqmenaxhimin e kësaj ndërmarrjeje.

Siç vlerësohet, kjo ndërmarrje gjendet buzë falimentimit, megjithatë punëtorët e saj po shprehet të pakënaqur me pagat. Ata po kundërshtojnë vendimin.

Bordi i Telekomit të Kosovës para një muaj e gjysmë mori vendim për uljen e pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrje prej 10 deri në 20 për qind.

E një vendim i tillë u mor pa u konsultuar me Sindikatën.

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Telekomit të Kosovës, Lami Balaj thotë për Ekonomia Online se gjatë diskutimit me ish-Bordin e Telekomit të Kosovës në lidhje me uljen e pagave, janë dakorduar që të pezullohet deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Paga.

Sipas Balajt, nuk mund të ketë ulje të pagave as për 10 për qind as për 5 për qind, pa ndodhur një ristrukturimi i mirëfilltë brenda ndërmarrjeve.

‘’Ne e kemi një kontratë individuale të punës, e cila është nënshkruar me menaxhmentin e Telekomit dhe është aprovuar nga Bordi.

Ne si sindikatë për zbritjen e pagave e kemi marrë vesh prej medieve dhe poashtu na ka ardhur edhe një e-mail zyrtar. Në atë moment reagimi jonë ka qenë i menjëhershëm, dhe jemi ulur kemi diskutuar me Bordin.

Përmes Avokatit të Popullit ja kemi adresuar Gjykatës Kushtetuese për ligjin e pagave, ku është neni 27 në të cilin përfshihen ndërmarrjet publike.

Edhe është e padrejtë. Ne ende nuk e dimë nëse do të jemi pjesë e ligjit të pagave’’, shtoi ai.

Sipas kryetarit Balaj, ulja e pagave ka ngjallur shumë pakënaqësi tek Sindikata e Punëtorëve.

Ai shtoi më tej, se brenda Telekomit janë bërë edhe shumë vjedhje, duke i konsideruar përgjegjës ministrat e dikastereve.

‘’Kërkesa jonë ka qenë të shkojmë në një ristrukturim. Deri më 31 mars nuk mund të ketë asgjë. Ka individë që nuk i meritojnë pagat e larta dhe kemi kërkuar risktrukturim. Besoj që kemi me gjet mirëkuptim me ministren e re zonjën Rozeta, ku do t’i përkrahë idetë tona për një ristrukturim.

Këto paga që janë në Telekom janë paga që është dashtë me u ngrit dhe mu largu shumë njerëz prej disa pozitave që marrin paga pa nevojë. Ka shumë pakënaqësi të punëtorëve, mirëpo edhe shumë vjedhje që janë bërë brenda Telekomit’’, deklaroi Balaj.

Telekomi i Kosovës në vazhdimësi është akuzuar për keqmenaxhime dhe keqpërdorime, madje për të këtë pretekst qeveria Kurti edhe shkarkoi Bordin e kësaj ndërmarrjeje.

SHPËRNDAJE