Qëlloi për vdekje shokun e tij 22 vjeçar, aktakuzë ndaj Liridon Uruqit për vrasjen tragjike

Pak para mesnatës së 28 korrikut të këtij viti, Liridon Uruqi qëlloi shokun e tij me armë zjarri duke e lënë të vdekur në Bresalc të Gjilanit, 22 vjeçarin Fatlind Arifi. 

Fatlindi dhe Liridoni ishin shokë mes veti, 22 vjeçari madje pati punuar tek biznesi i Uruqit, por nata e 28 korrikut ishte fatale, Arifi u qëllua me armë nga Uruqi deri sa po kalonin kohën së bashku dhe me disa shokë të tjerë në fshatin Bresalc.

Atë natë, ky rast fillimisht ishte tentuar që të inskenohet nga tre persona të dyshuar, me motivin se Fatlind Arifi nuk ishte qëlluar me armë nga ndonjë person, por se ai kishte bërë vetëvrasje, kështu të paktën e pati zbuluar një ditë pas vrasjes prokurori i rastit Agron Uka.

“Po në fillim kanë tentuar që ta inskenojnë ngjarjen por fati ynë dhe shpejtësia e Policisë dhe Prokurorisë kemi arritur që mos me i lanë me bashkëpunu. Arma është shkrepur prej 3-4 metra dhe është qëlluar në zemër. Viktima ka shkuar në spital pa shenja jete”, tha Uka.

Por, më vonë doli se 22 vjeçari Fatlind Arifi ishte qëlluar me armë nga Liridon Uruqi, krejt kjo sipas avokatit dhe sipas personit në fjalë kishte ndodhur aksidentalisht.

“Dëshmitari ka thënë se e gjitha ka ndodhur aksidentalisht por ne duhet të analizojmë situatën, se pse i dyshuari ka pasur armë me vete, si ka ardhur rasti deri te shkrepja e armës”, tha Uka.

Ndërkaq sot, Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Liridon Uruqi, i cili dyshohet për vrasjen që ka ndodhur më 28 korrik 2018, në fshatin Bresalc të Gjilanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Fatlind Arifi, në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të tij, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë duke e dërguar në spital.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Gjithashtu, i pandehuri me dashje, të njëjtën armë ia drejton fillimisht të dëmtuarve-dëshmitarëve Kastriot Haziri, dhe Lirim Muji, pastaj edhe të dëmtuarit-dëshmitarit Gëzim Abazi, duke e ngreh këmbëzën e revoles.

Në këtë mënyrë, ai ka kryer edhe veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Liridon Uruqi mbante pa leje revolën e tipit TT 7.62mm, me të cilën edhe qëlloi për vdekje shokun e tij./gazetametro.net

SHPËRNDAJE