Qendrat e votimit për zgjedhjet në VV gati, a po afron ndarja?

Të dielën (nesër) Lëvizja Vetëvendosje, mban zgjedhjet e brendshme, për kryetar të partisë.

Të gjithë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të dielën nga ora 10 deri në ora 19:00, do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, për zgjedhur kryetarin e ri partisë.

Ata nuk do të kenë mundësi të vendosin në mes disa kandidatëve, pasi në garë është vetëm ish’lideri Albin Kurti, për kandidaturën e të cilin ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë kundërshtime në parti, shkruan gazetametro.net.

Përgatitjet për zgjedhjet e brendëshme në këtë parti kanë filluar, dhe tani kur kanë mbetur edhe pak orë deri te hapja e qendrave të votimit, shumica prej tyre janë gati.

Përmes postimeve të ndryshme të bëra në rrjetet sociale, qendrat e Vetëvendosjes, u kanë bërë thirrje anëtarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të dalin të votojnë.

Në anën tjetër, pretendohet një pjesë e anëtarëve të cilët mbështesin lidershipin e dorëhequr të kësaj lëvizje, do ta bojkotojnë këtë proces zgjedhor.

Grupi në të cilin bën pjesë edhe ish’kryetari Visar Ymeri, kanë kritikuar çasjen e Albin Kurtit, i cili nuk po pranon kërkesat e tyre, për të gjetur një kreyetar konsensual, veprim i cili do ta shpëtonte Lëvizjen nga ndarja.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, edhe pse më i rezervuar se të tjerët, nuk ka treguar përkrahje për Kurtin. Ai ka thënë se bashkë me deputetin Glauk Konjufca, janë duke e përgatitur një platëformë kompromisi, për të cilën ata shpresojnë se do të pranohet nga të dyja palët, dhe do të bënte që Lëvizja të mbetet e bashkuar.

Deri në këtë fazë, ndarja është e thellë, dhe zgjedhja e Kurtit nesër kryetar, do ta konkretizojë atë.

Në rrjetet sociale ka filluar edhe fushata, e përkrahësve të Kurit, të cilët bëjnë thirrje që të dalin dhe të votojnë për kandidatin e vetëm.

“Nesër, është ditë e rëndësishme për organizatën tonë. Nesër, Lëvizja VETËVENDOSJE!, organizon zgjedhjet e brendshme për Kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Anëtarësia jonë me anë të demokracisë së drejtpërdrejt, voton për kandidatin që do ta drejtoj Lëvizjen tonë për 4 vitet e ardhshme. Ftoj të gjithë anëtarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimi. Punë të mbarë aktivistëve që janë të angazhuar në këtë proces. Suksese kandidatit tonë, Albin Kurti”, ka shkruar deputetja Albulena Haxhiu. /gazetametro.net

SHPËRNDAJE