Qeveri pa vota: Nga dhjetë personat më të votuar më 6 tetor vetëm një pjesë e qeverisë së re, ja cili ministër

Pas votimit të mocionit të votëbesimit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e presidentit, sot Kuvendi i Kosovës ka votuar qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Qeveria e sotme siguroi 61 votat e nevojshme pas një drame të vërtetë nga dita e djeshme kur u raportua se nuk i kanë votat e nevojshme.

Qeveria e re e udhëhequr nga LDK, së bashku me AAK-në, NISMA-n, Listën Serbe dhe minoritetet tjera, ka brenda saj figura që nuk ishin shumë të suksesshëm në zgjedhjet e fundit, madje nga 10 personat më të votuar vetëm një është pjesë e ekzekutivit të ri.
Më i votuari në zgjedhjet e 6 tëtorit ishte lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili mori 183.868 vota, i pasuar nga Vjosa Osmani me 176.188 vota.

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli që kishte qenë edhe kandidat për kryeministër i kësaj partie kishte marrë këto zgjedhje 146,763 vota.

Dyfish më pak se Veseli vota kishte marrë lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e gjashtë tetorit kishte marrë 75,917 vota.

Haradinaj madje kishte veç tre mijë vota më shumë se Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje.

Konjufca pas Kurtit, Osmanit, Veselit e Hardinajt është njeriu i pestë më i votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Pas Konjufcës, me votë e gjashta në listë radhitet Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes e cila në zgjedhje ka marrë më shumë vota se koalicioni NISMA-AKR-PD, gjithsej 46,861 vota.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkaq pas Osmanit si më i votuari ka dalë Kujtim Shala. Shala radhitet me votë pas Haxhiut derisa ka arritur që të sigurojë 39,091 vota.

Numër të madh të votave ka marrë edhe Anton Quni që në listën e LDK-së radhitet si i treti më i votuari. Quni ka marrë 31,816 vota në zgjedhje.

Ai është i vetmi nga 10-ja që është pjesë e qeverisë së re, si ministër i Mbrojtjes.

I nënti më i votuari nga të gjitha listat e deputetëve të partive e koalicioneve që kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës është Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Abdixhiku ka marrë 29,565 vota.

Në listën e deputetëve në top 10-tëshe këtë vit gjendet edhe Uran Ismaili i partisë së Kadri Veselit.

Pas Abdixhikut, Ismaili radhitet në vend të 10-të me gjithsej 28,250 vota.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE