Qeveria e “gjuan topin” tjetër ku për pagat e veteranëve

Veteranët e luftës së UÇK-së kanë kërcënuar me protestë nëse deri këtë të premte nuk u paguhen pagat që u takojnë. Ndërkohë, është Qeveria e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn, e cila deklarohet se i ka kryer procedurat e veta sa i përket pagave të tyre.

Në një përgjigje për “Indeksonline”, Halil Matoshi nga zyra për informim në zyrën e kryeministrit, ka bërë me dije se kjo çështje tashmë i takon Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se i takon deputetëve që të votojnë për ndryshimet e buxhetit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në bashkëpunim me Ministritë përkatëse, i ka kryer të gjitha procedurat për pagesat e veteranëve dhe tashmë çështja është në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta rishqyrtojë buxhetin në afat optimal. Për Qeverinë Haradinaj, tema e pensioneve dhe pagesës me kohë të tyre, nuk është e diskutueshme, sepse është e drejtë e ligjshme e veteranëve të luftës dhe kategorive tjera të lirisë. Së këndejmi, sa i përket borxhit për këtë vit (gusht deri dhjetor 2017) Qeveria i ka siguruar fondet dhe ka proceduar në Kuvendin e Kosovës ndryshimet e buxhetit dhe pret që deputetët të votojnë këto ndryshime sa më shpejt dhe që pensionet të paguhen në mënyrë retroaktive”, ka thënë Matoshi.

Ai ka siguruar veteranët se Qeveria `Haradinaj` do të ndajë buxhetin për vitin 2018, për pagesën e pensioneve për 12 muaj, pa ndërprerje, për këto kategori.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka më shumë se dy javë që nuk ka mbajtur seanca. Kjo po ndodhë për shkak të zgjedhjeve lokale të cilat pritet të mbahen këtë të dielë, më 22 tetor.

Janë veteranët ata që kanë kërcënuar se do t`i bojkotojnë këto zgjedhje dhe do të protestojnë para Kuvendit, nëse deri të premten nuk u dalin pagat.

SHPËRNDAJE