Qeveria e Kosovës “mbron” Rakiqin për masat e reja në veri

Shtabi i emergjencës për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, të martën kanë shpallur kufizime të lëvizjes për shkak të situatës pandemike me virusin COVID-19.

Për këtë vendim Lista Serbe ka deklaruar se është në përputhje të plotë me vendimet e gjitha masave epidemiologjike të përcaktuara nga Qeveria serbe e jo me atë të Kosovës.

Mirëpo në lidhje me këtë çështje nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se veprimet që ndërmerren në veri të vendit janë në koordinim të plotë me institucionet e vendit.

Sipas tyre, kjo çështje nuk duhet të politizohet.

“Kjo është një çështje që nuk duhet të politizohet. Veprimet që ndërmerren atje janë të përbashkëta që merren me institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti.

Në përgjigjen e tyre tutje thuhet se janë duke u bërë përpjekje për shpëtimin e jetës së njerëzve në këtë kohë pandemie.

“Janë duke u bërë përpjekje në rend të parë për shpëtimin e jetës së njerëzve, pasi pandemia nuk njeh as përcaktime politike e as etnike. Është një çështje humane që nuk duhet të futen deklarata politike, apo të politizohet”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.

Ndërsa sa i përket deklaratave të zëvendës kryeministrit Goran Rakiq, nga zyra e kryeministrit thonë se deklaratat e tij kanë dal nga konteksti.

“Sa i përket deklaratave të Goran Rakiqit besojmë që më tepër kanë dal nga konteksti. Ju siguroj që ka bashkëpunim të plotë zëvendëskryeministri me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet tjera të Kosovë”, thuhet në përgjigjen nga zyra e kryeministrit, Avdullah Hoti.

Ndryshe, pas vendimit për kufizim të lëvizjes në katër komunat veriore të Kosovës, Lista Serbe thotë se serbët vazhdimisht do t’iu përmbahen masave epidemiologjike të përcaktuara nga Qeveria e Serbisë.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE