Qeveria “Hoti”, analistët flasin për sukseset dhe dështimet e mundshme

Me 61 vota për, të mërkurën në Kuvendin e Kosovës është formuar Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin.

Ndonëse formimi i kësaj Qeverie ngjalli reagime të shumta në vend, për disa po shihet edhe si Qeveri e shpresës.

Për politologun Ramush Tahiri, tanimë vendi ka një Qeveri të zgjedhur me legalitet të plotë për të proceduar ligje dhe për të marrë vendime.

“Kishim një Qeveri të pakicës e cila nuk kishte autoritet të dal para Kuvendit, sepse ishte e shkarkuar. Kjo qeveri është e zgjedhur dhe si e tillë ka legalitetin për të proceduar të gjitha ligjet dhe të gjitha vendimet. Është e rëndësishme që në këtë periudhë të pandemisë të bëhet rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ai për “Front Online”.

Madje Tahiri, Avdullah Hotin e sheh si Kryeministër të ndryshimeve.

“Z. Avdullah Hoti është i ndryshimeve sepse është teknokrat dhe nuk është ideolog politik dhe si i tillë merret me punën menaxhuese të Qeverisë, pa folur për çështje të mëdha politike dhe nuk i interesojnë ato. Kosova ka nevojë për një Qeveri të tillë të profesionistëve”, ka thënë ai.

Vlerësim politologu Tahiri pati edhe për ministrat. Ai tha se për disa nga ministrat që i njeh ka mendim të mirë.

“Ministrat disa janë të vjetër e disa janë të rinj. Ministrat e AAK-së i njoh dhe kam mendim të mirë, por gjithashtu edhe ministrat e LDK-së, janë ata që ishin dhe ka vazhdimësinë, ndërsa ministrat e ri të tjerë mbetet ta dëshmojnë veten, por secila parti i përgatitë kuadrot e vet për qeverisje, sepse qëllimi i partive është të vijnë në Qeveri dhe ta udhëheqin vendin”, ka thënë Tahiri për “Front Online”.

Por ndryshe nga Tahiri, mendon profesori universitar Milazim Krasniqi. Në një intervistë për “Front Online”, ai ka thënë se Qeveria “Hoti” nuk beson se do të jetë Qeveri e ndryshimeve.

“Unë besoj që nuk do të jetë Qeveri e ndryshimeve. Qeveria “Hoti”, do të jetë Qeveri e një kontinuiteti të një praktike të njohur të qeverisjes LDK-AAK-Nisma-Listës Serbe. Pra, se sa do të jetë kreativ brenda kësaj kornize mbetet që të shihet. Qeveria e ndryshimeve është proklamuar, Qeveria e VV-së me LDK-në por rezultoi që nuk ishte as ajo”, ka thënë ai.

Ndërsa lidhur me përbërjen e kabinetit të qeverisë “Hoti”, profesori vlerësoi që është përzgjedhje e bazuar në meritokracinë partiake.

“Përbërja e qeverisë është standarde brenda kësaj elite politike që ne e kemi. Kjo elitë politike është më shumë e bazuar në meritokracinë partiake dhe jo në kompetenca profesionale-akademike. Kosova jam i bindur që ka potenciale shumë më të mëdha, por qeveritë zakonisht zgjidhen me kriterin e meritokracisë brenda partive. Edhe kjo Qeveri sikur ajo “Kurti”, është qeveri e njerëzve që kanë merita brenda partive dhe jo si Qeveri e ekspertëve të fushave të specializuara që hyjnë aty për të bërë ndryshime”, ka thënë ai për Front Online.

Kritika për Qeverinë “Kurti”

Kritikat për shkarkime të bordeve dhe emërimin e anëtarëve të saj në krye të tyre, për Qeverinë “Kurti”, ka pasur edhe përgjatë kohës sa kjo qeveri ishte në detyrë. Po këto kritika vazhduan edhe më tej. Për profesorin universitar, Milazim Krasniqi, qeveria “Kurti”, do të dilte më mirë në rast se nuk do ta fillonte hakmarrjen politike.

“Ndoshta ka mundur që të lë një imazh më të mirë, dhe të mos e krijonte këtë idenë e hakmarrjes politike me shkarkime të bordeve në kohën e krizës së madhe”, ka thënë ai për “Front Online”.

Kështu Krasniqi, pohoi se Qeveria “Kurti”, ka shkuar me një dështim shumë të madh.

“Qeveria “Kurti”, ka ardhur me premtime shumë të mëdha dhe ka shkuar me një dështim shumë të madh. Vetë fakti që nuk arriti të mbijetojë në koalicionin me LDK-në, 50 ditë do të thotë është një dështim. Ishte ndoshta një mungesë e përvojës tek Kurti, një lloj arrogance në raport me partnerin e vet të koalicionit që shkaktoi dëm”, ka thënë ai.

Ndërsa për politologun Ramush Tahiri, Qeveria “Kurti”, ka lënë shumë për të dëshiruar.

“Ka qenë një Qeveri e shpresës dhe e ndryshimeve, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mirëpo është qeveri që siç thotë populli, lenë për të dëshiruar, sepse nuk arriti të bëj shumë, edhe për shkak të pandemisë edhe për shkak të rrëzimit. Mosmarrëveshjet partiake dhe gara që të shfrytëzohet Qeveria për përfitime partiake, normalisht që e rrëzoi dhe qeveri të tilla, të konceptit të tillë, nuk do të ketë, sepse Qeveria duhet të udhëheqtë nga programi dhe jo nga programi i partisë”, ka thënë Tahiri.

Dialogu sfidë për qeverinë “Hoti”, fundviti shpresë për arritjen e marrëveshjes

Procesi i dialogut dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë është ndër sfidat kryesore të qeverisë “Hoti”.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, për Front Online ka thënë që deri në fundvit ka gjasa që ky proces të përfundohet.

“Unë mendoj që nga fundi i vitit do të përmbyllet procesi i dialogut sepse nuk ka çështje të reja për të cilat duhet të bisedohet. Dihet çka duhet dhe se çfarë synojnë palët dhe kemi arritur mjaftë në 36 marrëveshje konkrete teknike dhe është më e lehtë që të bëhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohjen reciproke ose për njohjen e realiteteve”, ka thënë ai për Front Online.

Thuajse njësojë mendon edhe profesori universitar, Milazim Krasniqi.

Sipas tij, ky proces është duke u përshpejtuar, nga palët që janë të përfshira në dialog.

“Po thuhet që do të përshpejtohet dialogu për shkak se realisht po të shikohet Kosova dhe Serbia, kanë ngecur në rrugën e integrimit evropian dhe nuk mund të lëvizin përpara pa u zgjidh ky problem. Por si do të zgjidhet, është e vështirë të prognozohet për një arsye, sepse e para në këtë periudhë Serbia është fuqizuar shumë në arenën ndërkombëtare dhe në planin e saj të brendshëm, ndërsa Kosova është dobësuar edhe në planin e jashtëm edhe të brendshëm”, ka thënë ai për “Front Online”.

Megjithatë një proces i përshpejtuar, sipas Krasniqit, rrit drojën që ky proces me nguti, mund të mos jetë zgjedhje e favorshme për Kosovën.

“Nuk duhet harruar që edhe Brukseli është shumë i frustruar me gjendjen në Ballkanin Perëndimorë. Edhe atyre ju ngutet dhe tanimë kanë edhe një Qeveri të konsoliduar me të cilin veç duhet të ecin përpara. E kanë të caktuar edhe Lajçakun si emisar. Poashtu SHBA-të duket se po japin shenja që po nguten. Do të jetë goxha e vështirë, sepse një proces i komplikuar nëse bëhet me nguti ka rrezik që të mos jetë zgjidhja më e favorshme për Kosovën”, ka thënë tutje ai.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE