Qeveria ka një përgjigje të prerë ndaj Lunaçekut!

Qeveria e Kosovës i është përgjigjur deklaratave të Ish-deputetes së Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e cila tha se Bashkimi Evropian nuk njeh marrëveshje të re për demarkacionin dhe se duke vepruar ndryshe, kosovarëve mund të ju mbyllet rruga drejt liberalizimit të vizave. Sipas Qeverisë, marrëveshja aktuale nuk i ka 2/3 në Kuvend për ratifikim, prandaj ka nisë një proces i ri, për t’i dhënë zgjidhje.

Qeveria e Kosovës insiston se duhet gjetur zgjidhje sa i përket shënjimit të kufirit me Malin e Zi, ani pse zyrtarë të Bashkimit Evropian vazhdimisht e theksojnë se nuk njohin marrëveshje tjetër nga ajo që tashmë ekziston.

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk njeh marrëveshje të re për demarkacionin, derisa ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë të drejtë të udhëtojnë në vendet e BE-së pa viza.

“Do të doja t’i bëja thirrje secilit tani në Kuvendin e Kosovës që të ecë përpara dhe ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi. E di që kryeministri i ri e ka emëruar një komision të ri, por tash topin e ka Kuvendi i Kosovës. Duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi sepse kjo derë mund të ju mbyllet”, tha sot Lunacek.

Por megjithëkëtë Halil Matoshi nga Qeveria e Kosovë thotë se Komisioni i ri për Demarkacionin është formuar që të dal me vlerësime ë plota dhe më pastaj të shkohet në vendim tjera që janë në interes të qytertarve.

“Komisioni i ri shtetëror i emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj është duke e kryer një vlerësim të plotë të procesit të demarkacionit të kufirit me Republikën e Malit të Zi dhe pasi ta ketë dorëzuar raportin do të analizohet dhe do të shkohet në hap tjerë, në vendime tjera në interes të plotë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, ka sqaruar ai.

Matoshi bën të ditur se Qeveria e Kosovës e ka cilësuar demarkacionin si çështje e cila nuk ka 2/3 në Kuvend për ratifikim, prandaj ka nisë një proces i ri, për t’i dhënë zgjidhje.
Ndonëse Qeveria ka një mendim të qartë për demarkacionin, të njëjtin vlerësim nuk e ndan zëvendës kryeministri njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë Haradinaj, Behgjet Pacolli.

Ai në mbledhjen e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ka thënë se tentimi për rinegociim të marrëveshjes me Malin e Zi është një kohë e humbur.

Pacolli shtoi se kur ishte në Podgoricë, ka insistuar t’iu shpjegojë autoriteteve malaziase se ky është një problem, i cili një pjesë e madhe e popullatës e konteston, mendon se është një vijë tjetër kufitare, por ata në këtë drejtim nuk duan të flasin fare.

“Demarkacioni për Malin e Zi është një çështje e mbyllur, është një marrëveshje që është nënshkruar dhe është ratifikuar në parlamentin e Malit të Zi, është përmbyllur dhe praktikisht është punë e kryer për ta”, ka thënë Pacolli.

Sipas ministrit të Jashtëm, marrëveshja nuk mund dhe nuk ka asnjë mundësi të rinegociohet./GazetaExpress/

SHPËRNDAJE