Qeveria parasheh rënie të ekonomisë për 3% këtë vit dhe rritje 5% deri në 2023

Qeveria e Kosovës sot ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2020 dhe masat e reja për luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

”Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson të gjitha sfidat e krijuara nga pandemia e virusit COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës. Me rishikim të buxhetit nuk janë prekur asnjë projekt kapital, derisa kursimet do të kthehen në procese normale në buxhetet e viteve të ardhshme” thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas analizës së zhvillimeve ekonomike, Qeveria e Kosovës parasheh që rritja ekonomike për vitin 2020 të jetë minus tre për qind dhe pritet që në vitet 2021 dhe 2023 të kthehet në rritjen progresive prej 5 për qind.

”Situata e krijuar nga pandemia ka imponuar zhvillimin në proceset buxhetore dhe për vitin 2020 ku pritet një deficit buxhetor prej 6.5 për qind.

Qeveria gjithashtu ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19. Sipas vendimit të gjitha institucionet publike dhe private në Kosovë obligohen të organizojnë punën e stafit të tyre duke respektuar distancën fizike apo duke aplikuar punën online nga shtëpia, në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive bazuar në legjislacionin në fuqi.

”Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës janë obliguar që të zbatojnë kontrollin rigoroz të bartjes së maskave në hyrje të çdo institucioni dhe të organizojnë punën me stafin e tyre në përputhje të plotë me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e virusit COVID-19”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, shkruan Zëri.

SHPËRNDAJE