Qeveria sapo mori një vendim për konkursin e fundit për policë të rinj

Të gjithë të rinjtë që kanë kandiduar për policë të rinj e që nuk i takojnë shumicës shqiptare e kanë kaluar provimin edhe nëse nuk i kanë arritur 70 përqind të pikëve të testit me shkrim.

Kjo pasi Qeveria ka marrë vendim që ta ulë pragun e kalueshmërisë të testit me shkrim prej 70 përqind sa ka qenë, në 50 përqind.

Ky vendim i kabinetit qeveritar ka ardhur pas kërkesës së ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i cili ka kërkuar që ky prag të ulet për pjesëtarët e komunitetit turk, pasi që nga të gjithë ata që kanë aplikuar, sipas tij vetëm njëri ka arritur që të arrijë 70 pikë në testin me shkrim.

Yagcilar: Të ulet përqindja prej 70 në 50

“Më lejoni të parashtroj kërkesën nga përfaqësuesit e komunitetit turk sa i përket pranimit në shërbimin policor, përkatësisht që pragu prej 70 përqind të ulet në 50 përqind, për arsye se nga të gjithë kandidatët që kanë aplikuar vetëm një e ka kaluar këtë fazën e parë të testimit, për shkaqe të ndryshme, por kryesisht për shkak të moszotimit të gjuhës”, tha Yagcilar.

Por kërkesës së ministrit që vjen nga komuniteti turk ia kanë pa hajrin edhe ata që nuk janë turq por që iu takojnë komuniteteve tjera jo shqiptare.

Kjo pasi që kryeministri Ramush Haradinaj propozoi që një gjë e tillë të vlejë jo vetëm për turqit por edhe për komunitetet tjera.

Haradinaj: Kjo të vlejë edhe për komunitetet tjera

“A kishim mujtë me e votu për shembull në parim këtë, për komunitetet që nuk kanë gjuhë amtare gjuhën shqipe”, tha Haradinaj.

Kundër propozimit ka dal zëvendëskryeministri Dardan Gashi i cili tha se secili që dëshiron të bëhet polic duhet ta dijë edhe gjuhën shqipe.

Gashi: Nuk bën kështu, polici duhet me ditë shqip

“Nuk mujmë kështu me funksionu. Gjuhë zyrtare është shqipja dhe ëshët gjuhë e shumicës, polici duhet me ditë shqip”, tha Gashi.

Por në këtë deklaratë ka reaguar kryeministri Haradinaj, i cili tha se Policia ka nevojë për njerëz që e dinë edhe turqishten.

Haradinaj: Kemi nevojë për polic që e dinë shqipen

“Ne kemi nevojë për policë që e dinë turqishten. Ky është interesi reciprok. Nuk është se ai na vynë neve, ne i vyejmë atij. Është një praktikë e lejuar me e bë një diskriminim pozitiv. Unë kisha ftu Qeverinë që ta votojë propozimin e ministrit Yagcilar”, theksoi kryeministri.

Sipas Haradinaj kjo nuk bie në kundërshtim të ligjit civil pasi që ulja e kriterit për këtë pjesë nënkupton vetëm mundësi për të hyrë në procedurat tjera.

Përkundër debatit, rekomandimi i ministrit Yagcilar u aprovua me shumicë votash.

Qeveria e Kosovës është informuar sot edhe për procesin e realizimit të pagesës së orëve shtesë të Policisë së Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka njoftuar kabinetin qeveritar me situatën e krijuar nga nevoja e operacioneve për angazhim të zyrtarëve policor me orar të zgjatur dhe pamundësia për të kompensuar orët shtesë me kohë të lirë për shkak të nevojës së ruajtjes së efikasitetit dhe efektivitetit të funksionimit të Policisë së Kosovës.

MPB do të përgatisë një analizë të kostos së kompensimit të orëve shtesë të policisë dhe do ta sjellë për aprovim në Qeverinë e Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë është vendosur që këngëtares Nexhmije Pagarusha t’i njihet statusi i qytetares me merita të veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës shqipe, me ç’rast ajo do të kompensohet financiarisht me 500 euro në muaj.

Gjatë mbledhjes, me kërkesë të ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, janë ndarë mjete financiare për të mbështetur Gjimnazin “LOYOLA” me 308 mijë euro dhe Shkollën Profesionale “LOYOLA” me 350 mijë euro.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka propozuar ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, me qëllim të mbështetjes së funksionimit të rregullt të disa prej ndërmarrjeve publike që aktualisht gjenden në pozitë të pafavorshme financiare.

Ndërsa janë miratuar në parim dy nisma për lidhjen e marrëveshjeve për plotësimin dhe ndryshimin e marrëveshjeve financiare IPA 2012 dhe IPA 2013. Ministria e Integrimit Evropian do të ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim të finalizimit të marrëveshjeve.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për mbrojtje nga zhurma dhe vendimin me të cilin ka emëruar Lum Mitën, udhëheqës i Divizionit për bashkëpunim ndërkombëtarë financiar në Ministrinë e Financave, në pozitën e përfaqësuesit të Republikës së Kosovës në Këshillin Administrativ të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës.

Ndërsa edhe nisma për aderimin e Republikës së Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Trajnimit Policor të Frankofonisë, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme

SHPËRNDAJE