Qeveria tregon nëse i ka votat për buxhetin e vitit 2019

Qeveria e Republikës së Kosovës ka folur edhe njëherë lidhur me votimin e buxhetit për vitin 2019 i cili do të sillet në Kuvend gjatë ditës së nesërme prej orës 13:00, shkruan Gazeta Blic.

Në një përgjigje për Gazetën Blic zëdhënësja për informim në Qeverinë e Kosovës, Donjeta Gashi ka thënë se besojnë që i kanë votat edhe përkundër kundërshtisë së partive opozitare në Kuvend.

Ajo ka thënë se nuk ekziston asnjë arsye për mos votim të buxhetit pasi, sipas saj, ky buxhet është gjithëpërfshirës dhe nuk ka dallime partiake e regjionale.

“Ne besojmë që janë votatat pasi ky buxhet është gjithëpërfshirës dhe nuk ka bërë dallime as partiake e as regjionale siç është sqaruar edhe nga vet Kryeministri Ramush Haradinaj dhe nga Ministri i Financave në seancat e kaluara të Kuvendit dhe kështu që nuk ka arsye që të mos votohet buxheti meqenëse është gjithë përfshirës edhe ka qenë i orientuar më shumë në zhvillim ekonomik dhe që i konvenon secilës parti politike dhe secilit qytetar” tha ajo.

Gashi u ka bërë thirrje partive politike që ta votojnë këtë buxhet i cili kap shifrën e 2 miliard e 40 milion eurosh, pasi siç ajo u shpreh, pa buxhet edhe shteti do të ishte jo funksional.

“Ky është argumenti ynë dhe mbi këtë bazë ne i ftojmë të gjithë që ta votojnë buxhetin dhe shpresojmë që ti bashkohen kësaj thirrje apo këtij projekti nacional edhe partitë tjera sepse pa buxhet nuk mund të funksionojë as shteti. është mirë të votohet dhe ju bëjmë thirrje të gjithë për votim sepse është zgjidhje për të gjitha komunat për të gjithë sektorët për vendin. Ne i kemi prezantuar edhe shifrat se ku ka rritje në çfarë mase dhe prioritetet që i ka dhënë Qeveria sidomos zhvillimit të komunave, ekonomisë, sundimit të rendit dhe ligjit shëndetësisë fushave të tjera që janë në interes” përfundoi ajo.

Ndryshe kundër buxhetit për vitin 2019 kanë dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa, PSD ka thënë se në rast se deputetët e Kuvendit nuk i votojnë kushtet e tyre, atëherë as kjo parti nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2019./Gazeta Blic

SHPËRNDAJE