QKUK mbetet pa barna

Pacientët e shtrirë në reparte të ndryshme në Qendrën e Klinikës Universitare të Kosovës, pos hallit që kanë me shëndetin, po përballen edhe me mungesën e barnave nga lista esenciale.

Ata ankohen se edhe për gjërat më të vogla duhet të kujdesen vetë.

“Të gjitha barërat është deshtë t’i blejmë vetë. Unë më 75 euro pension jam, edhe duhet t’i blej të gjitha barnat. Në kohërat me herët spitali t’i ka dhanë gjitha barnat, tani jo. Unë po i bëjë gati dy javë këtu kur kam ardhur, në fillim edhe dorëzat sterile u dashtë t’i blej vetë, e mos të flasim për barëra”, ka thënë një pacient për televizionin publik.

Mungesa e barërave, përveç pacientëve, kokëçarje po i shkakton edhe stafit mjekësor. Dr. Shemsi Veseli, që është edhe zëvendës-kryesues i Bordit Drejtues në SHSKUK, tha për Radio Kosovën se mungesa e barërave po na shkakton shumë probleme.

“Edhe për neve si staf mjekësor, por edhe për familjarët që i kanë pacientët e shtrirë këtu është shqetësim mungesa e barërave. Gjendja nuk është e kënaqshme, sepse kemi mungesa edhe nga lista e barnave esenciale, por kemi mungesë edhe të materialit shpenzues”, tha ai.

Veseli tha se duhet të japin llogari personat që janë përgjegjës, pasi sipas tij, Ministria e Shëndetësisë ka mjete për barërat e listës esenciale por problemi qëndron te disa individë që i tejzgjasin procedurat.

“Duhet të japin llogari personat të cilët janë përgjegjës, apo për shkak se faktori njëri është shkaktar për tejzgjatjen e procedurave, pavarësisht se ku e ushtron detyrën e tij,ai duhet të japë llogari”, shtoi ai.

Ndërkaq, Faik Hoti, zyrtar për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se furnizimi me barna është i rregullt, por problemi qëndron te vonesat që shkaktohen nga procedurat që i përcakton Ligji i Prokurimit Publik, shkruan Koha.net.

“Ligji i Prokurimit Publik ne Kosovë ka procedura bukur të zgjatura sa i përket lidhjeve të kontratave, pastaj faza e ankesave e më pas shpërndarja e mallit. Kjo për sektorin e shëndetësisë është goxha problem, sepse merr disa muaj”, tha Hoti.

Ai gjithashtu tha se ketë vit Ministria e Shëndetësisë e ka rritur buxhetin për 8 milionë euro dhe gjithsesi kjo edhe është dashur të reflektojë në stabilitetin e furnizimit me barna.