Qytetarët maqedonas thonë se s’ka nevojë për ndryshimin e emrit

Një numër i vogël i qytetarëve maqedonas, janë mbledhur sonte para ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë, pak pas mbylljes së vendvotimeve për referendumin për emrin e ri të Maqedonisë.

Ata me këtë rast kanë vendosur disa pankarta kundër referendumit për emrin dhe janë shprehur kundër ndryshimit të emërtimit të Maqedonisë, pasi sipas tyre ka pasur një referendum më herët për emërtimin aktual në vitin 1991.

Risto Andonovski thotë se nuk ka nevojë për ndryshimin e emrit, pasi hyrja në NATO nuk iu ndihmon për këtë dhe se Maqedonia ka këtë emër shumë më herët se sa thonë grekët.

Edhe Velko Pedrev shprehet kundër referendumit dhe ndryshimit të emrit.

“Pse të votojmë? Nuk është referendumi i vitit 1991, nuk kemi nevojë për një referendum tjetër. Ka marrë fund”, tha ai.

Në orën 19.00 janë mbyllur vendvotimet në të cilat qytetarët mund të deklaroheshin në pyetjen “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO, duke pranuar marrëveshjen e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?” duke qarkuar “pro” ose “kundër”.

Pas daljes në vendvotime mund të votonin vetëm personat të cilat në atë moment janë hasur në objektin ku votohet.

Të drejtë vote kishin një milion e 806 mijë e 336 votues të regjistruar në Listën Zgjedhore. U votua në 3.748 vendvotime të cilat ishin hapur nga ora 7 deri në orën 19.00.