Qyteti më i vjetër i Kosovës nuk ka stacion të autobusëve

Qytetarët e qytetit më të vjetër të Kosovës, Vushtrrisë, detyrohen të presin autobusin në rrugë, pasi që në këtë vend nuk ka asnjë stacion të autobusëve.

Edhe pse më parë ishte një vend i tillë, ku banorët e kësaj komune mund të prisnin autobusët, tani ai vend është shndërruar në një zonë private.

Një gjë e tillë po u shkakton probleme qytetarëve, të cilët jo vetëm se presin në rrugë, por përballen edhe me një tjetër problem, nuk i dinë as oraret e qarkullimit të autobusëve, problem ky për të cilin janë ankuar.

Shumë qytetarë të pyetur nga ‘Klan Kosova’ në lidhje me këtë gjendje, kanë shprehur ankesat e tyre, të cilët thonë se pritja në rrugë shkakton probleme edhe më serioze pasi që njerëzit nuk janë të siguruar dhe mund të goditen nga veturat.

Ndërsa, zyrtarë nga kjo komunë thonë se më parë ka qenë një stacion i autobusëve, për të cilin është kërkuar që të rikthehet por për shkak të ndikimeve partiake nuk ka arritur ende të realizohet një kërkesë e tillë.

‘Ne besojmë që kjo ka ndodhur për shkak të ndikimeve të partisë e cila i ka humbur zgjedhjet në komunën e Vushtrrisë, pra PDK-së. Mirëpo, shumë besojmë se qeveria në ardhje do të realizojë këtë kërkesë të komunës së Vushtrrisë’, ka thënë njëri nga zyrtarët e komunës.

Sipas tij, nga janari i vitit të ardhshëm pritet që në këtë hapësirë te fillojë studimi i fizibilitetit ku më pas planifikohet të ndërtohet stacioni i autobusëve./gazetametro

SHPËRNDAJE