Raka: Ende s’kemi kthim në normalitet, përfundimi zyrtar 28 ditë pas negativizimit të rastit të fundit

Janë bërë gati tre muaj që kur u shfaqën rastet e para të infeksionit me COVID-19 në Kosovë.

Që nga kjo kohë, qytetarët kosovarë janë përballur me izolimin dhe masat e ndërmarra, në mënyrë që përhapja e këtij virusi të jetë sa më e vogël dhe përfundimi të jetë sa më i përballueshëm.

Edhe pse rreziku nga ky virus është ende aktiv, situata e tanishme e krijuar nga pandemia COVID-19, parashihet të jetë brenda parametrave të parashikuar epidemiologjike.

Madje edhe rastet të cilat u shfaqën pas zbutjes së masave nga institucionet shëndetësore, janë të menaxhueshme.

Kësisoj deklarohet mikrobiologu, Lul Raka. I kontaktuar nga Indeksonline, Raka tha se në kohën kur jemi mbyllur për shkak të koronavirusit, pati kapacitete simbolike për t’u përballur me rastet e rënda.

“Kishim pajisje personale vetëm për disa ditë, virusi kishte plot të panjohura, nuk dinim shumë për përhapjen asimptomatike as për sjelljen e virusit në temperatura pranverore, nuk e dinim se remdesiviri është më efikas se hidroksiklorokina, njerëzit nuk ishin të informuar sikur sot e as profesionistët dhe institucionet nuk kishin njohuritë dhe përvojën e sodit”, tha Raka.

Sipas njohësit të kësaj çështje, rreziku nuk është i lartë si në stadat paraprake për shkak të uljes së intensitetit të përhapjes në komunitet.

“Kjo gjendje është rezultat i masave të ndërmarra dhe zbatimit të tyre nga qytetarët e Kosovës. Por, ende nuk kemi “kthim në normalitet”, sepse kemi afër 200 raste aktive në vend”, tha Raka.

Sipas mikrobiologut Lul Raka, përhapja e këtij virusi është në uljen e ndjeshme, por që përfundimi zyrtar do të jetë 28 ditë pas negativizimit të rastit të fundit me COVID-19 në vend.

I pyetur nëse me lehtësimin e masave ekziston mundësia e përhapjes edhe më të lehtë të këtij virusi, Raka tha se mundësia ekziston ende dhe se për këtë shkak duhet patur kujdes nga popullata.

Shpesh herë është përmendur mundësia që në Kosovë të ketë edhe një valë të re të përhapjes së këtij virusi, e për këtë Raka tha se varet se sa njerëz ka prekur virusi në valën e parë dhe se kjo mund të dihet duke kryer teste serologjike, e të cilat do të duhej të siguroheshin nga Kosova.

“Aktualisht, virusi është në qarkullim në pjesën tjetër të hemisferës së globit me vatrat e reja në Brazil, Rusi e Indi. Rastet e reja po shfaqen në Kinë nga udhëtarët e shteteve të tjera si p.sh. Rusia. Kthimi i temperaturave të ulëta e favorizon mundësinë e valës tjetër. Kjo do të varet edhe nga fakti se sa njerëz ka prekur virusi në valën e parë. Këtë mund ta dijmë duke kryer teste serologjike, të cilat po ashtu duhet të sigurohen nga Kosova. Studimet në disa vende të Evropës kanë treguar se jemi shumë larg imunitetit kolektiv. Prandaj, Kosova, ashtu si çdo vend tjetër në botë nuk mund t’ia lë këtë gjë rastësisë dhe t’ia lejojë vetes luksin që të mos përgatitet për valën e dytë. COVID-19 nuk është bastore. Në këtë vazhdë duhen përgatitje me furnizime me teste, pajisje personale mbrojtëse, respiratorë, shtretër të kujdesit intensiv, dhe fuqizim të resurseve humane. Sa më e lartë që të jetë përgatitja, aq më efikase do të jetë përballja me valën eventuale të rasteve të reja në sezonin e ardhshëm, në të cilin mund t’i kemi dy armiq: Covid-19 dhe gripin sezonal”, deklaroi Raka.

Mikrobiologu kosovar theksoi se duhet vazhduar kujdesin dhe zbatimin e masave parandaluese, sidomos distancën sociale, higjienën e duarve dhe që të mbahen maska në vendet e mbipopulluara si në transportin publik, qendrat tregtare dhe vendet e mbyllura me shumë njerëz (markete, xhami, kisha etj).

“Poashtu, të shmangim qëndrimin në vende të mbyllura , të mbipopulluara dhe pa ventilim adekuat”, tha Raka”.

Kosova vazhdon të përballet ende me virusin COVID-19, ku bilanci i tanishëm është 1 mijë e 83 persona të infektuar, 843 të shëruar dhe 30 të vdekur./

SHPËRNDAJE