Rakiq: Serbët në Kosovë duhet të kenë një flamur

“Populli serb e di se raporti i institucioneve të Kosovës ndaj serbëve është i pashembullt, veprimi ynë brenda këtyre institucioneve është luftë e përditëshme në të cilën nuk ka kushte të drejta e as minimum të respektit ndaj popullit tonë, por pa marrë parasysh pengesat, ne nuk kemi alternativë tjetër përveç se të luftojmë dhe të punojmë”, ka deklaruar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ai për gazetën serbe “Veçernje Novosti” ka thënë se Lista Serbe prej themelimit ka një qëllim, “që të gjithë serbët në Kosovë, nën flamurin e vetëm, së bashku me presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Serbinë, të luftojnë për mbrojtje të interesave të popullit serb”.

Ai ka pretenduar se është më mirë që “luftën për qytetarët të zbatojmë brenda institucioneve të Kosovës, sesa në urën e Mitrovicës, apo në ndonjë vend tjetër”.

“Kjo punë nuk ka qenë dhe nuk është aspak e lehtë, por ky është obligimi ynë, që në këto kohëra të vështira të jemi mbështetje për popullin tonë”, ka pretenduar Rakiq