Rama tregon se sa ushtarë do t’i ketë FSK

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama sot ka raportuar para Komisionit për Punë të Brendshme, i cili ka thënë se bashkëpunimi i mirë ka qenë dhe po vazhdon me KFOR-in dhe NATO-n në fazën e tranzicionit të ushtrisë së Kosovës.

“Një prej prioriteteve tona është ngritja profesionale për misionin dhe detyrat tona që i kemi në të ardhmen. Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar është i mirë dhe përkrahja për paisje nuk po mungon”, tha Rama.

Ai foli edhe për trajnimet, për strukturën, arritjet e vitit 2018 dhe për përfshirje nga komunitete tjera si atyre serb. Mosha mesatare në FSK është nga 35-37 vjeç.

Komandanti i ushtrisë bëri të ditur se FSK-ja do ti ketë 2 mijë 800 pjesëtarë aktivë.

Lidhur me diplomacinë ushtarake, gjeneral Rama tha se aktualisht FSK i ka shtatë atashe ushtarak – ShBA, Bruksel dhe vende të tjera, ndërsa dy të tjerë janë në proces për Francë dhe Itali.

Me rishikim të buxhetit të shtetit do të kërkojnë mjete shtesë për ushtri.

Rama tha se ushtrisë së Kosovës do t’i shtohen edhe 650 kadetë ku kanë aplikuar rreth shtatë mijë të rinj kosovarë, dhe do të përzgjidhen në bazë të kritereve të NATO-s.

Numri i aplikuesve së fundi është ngritur për 10 përqind krahasuar me konkurset e viteve të kaluara. Ndërsa, ai tha se FSK për shtatë vjet ka dal institucioni më i besueshëm.

Deputeti Ismet Beqiri ka thënë se për rekrutimin e kandidatëve për kadetë duhet vendosur kritere profesionale.

Ndërsa Beqiri shprehi interesim të marrë informacioni nga gjenerali për pjesëmarrjen e FSK në “Marshall”, në Gjermani. Mirëpo, nuk mori përgjigje nga gjenerali.

Xhelal Sfeçla anëtar i Komisionit tha se mbështetja me anë të kompetencave për FSK është e kotë nëse nuk ka mbështetje financiare me anë buxhetore.

SHPËRNDAJE