Ramaj: Prokurorët e mbajtën të fshehur lëndën për Currin pasi që ai ka lidhje me Lumezin

Gazetarja e Kohës Ditore, Saranda Ramaj, ka thënë se për video-incizimet e publikuara nga KTV-ja dhe Koha Ditore për aferën e fajdeve është në dijeni që nga viti 2017.

Ramaj në emisionin Rubikon të KTV-së ka thënë se afera ka qenë në plan të bëhej publike qysh në 2017-ën mirëpo Faton Dalladaku është ndjerë i kërcënuar dhe nuk është publikuar.

“Për me qenë reale për këto video dhe këtë aferë kam qenë në dijeni në vitin 2017, kur Rrahim Hashimi ishte përfshirë në aferën korruptive me Emin Beqirin. Prej atëherë kam marrë shumë mesazhe ndër ta ka qenë edhe Faton Dalladaku. Ka qenë në plan për t’u publikuar, por Dalladaku është ndjerë i kërcënuar dhe nuk janë publikuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, këto video janë të realizuar disa nga viti 2011 e disa nga viti 2012.

Ajo thotë se viktimat nuk janë vetëm ata që paraqiten në video por edhe qytetarë të thjeshtë të cilëve iu janë marrë mijëra euro.

“Në fillim kam menduar që Rrahim Hashimi është mashtrues, por më vonë e kam parë që zotëri Dalladaku nuk është viktima e vetme e pretenduar. Ka qytetarë të tjerë të thjeshtë që i kanë dhënë para zotëri Hashimit”, thotë ajo.

Sipas Ramajt, edhe në Polici edhe në Prokurori të gjithë kanë qenë në dijeni për këto prova.

Ajo thotë se kryeprokurori Aleksandër Lumezi, nuk ka qenë i njoftuar për provat, pasi që sipas saj, prokurorët nuk i kanë besuar atij.

Sipas saj, disa nga njerëzit brenda hetimeve kanë thënë se është dashur të bëhet kujdes nga Lumezi dhe njerëzit e tij të afërt pasi që pretendonin që Lumezi kishte marrëdhënie të mira me Osmanin.

Ajo thotë se rasti u dërgua në Prokurorinë e Ferizajt për të u zhvlerësuar rëndësia e lëndes.

“Ne e kemi pas një artikull kur zotëri Lumezi e ka kuptuar nga mediet për lëndën. Lumezi nuk ka qenë i njoftuar fare që ka qenë duke hetuar Osmani për shkak se prokurorët nuk i kanë besuar Lumezit. Kur Lumezi e din për një rast në Ferizaj ai patjetër që do të duhej të dinte për Ismet Osmanin për shkak se ai njihet ndër figurat më të rëndësishme në Ballkan. Disa njerëz që kanë qenë të përfshirë në hetim kanë thënë se është dashur të bëhet kujdes që Lumezi dhe disa njerëz të tij të afërt të mos e marrin vesh për hetimin e Osmanit për shkak se ai ka raporte të afërta me të. Kjo tregon pse tash po dalin këto incizime”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Ajo thotë se arsyeja e publikimit të tanishëm të këtyre video incizimeve është bërë për shkak të vullnetit të prokurorit të rastit.

“Për shkak se në krimet ekonomike kemi shef të ri dhe nuk është Nazim Sahiti as Shpend Maxhuni, kjo video është publikuar. Raporti për Lumezin, Maxhunin dhe Nazim Sahitin munden me u dëshmu. Duke e njohur prokurorin e rastit, unë mendoj që ky rast është zbardhur për shkak të vullnetit të prokurorit të rastit”, ka përfunduar ajo.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE