“Ramush Haradinaj as nuk guxon të shkojë në zyrë”

Ramush Haradinaj është ish-kryeministër dhe nuk do të duhej të shkonte në zyrën e dedikuar për kryeministrin e Kosovës e aq më pak të marrë ndonjë veprim nga perspektiva e atij pushteti.

Kështu tha analisti politik Artan Muhaxhiri, i cili në një prononcim për Koha.net tha se dorëheqja e tij ishte akt i vullnetshëm politik.

“Konsideroj se Harandinaj duhet të cilësohet si ish-kryeministër. Në momentin kur një kryeministër jep dorëheqje – aq më tepër kur edhe zyrtarisht e njofton presidentin – ai/ajo duhet me automatizëm të largohet nga zyra pasi më nuk ka asnjë të drejtë të ndërlidhet me postin. Dorëheqja është akt i vullnetshëm politik, sepse personi që e jep nuk dëshiron ta vazhdojë statusin aktual dhe për këtë arsye duhet të hyjë në fuqi në çastin që publikohet”, tha Muhaxhiri për Koha.net.

Muhaxhiri vlerëson gjithashtu se Haradinaj, tashmë as nuk do të duhej të shkonte në Kryeministri. Kujtojmë se edhe Neni 95 pika 5 e Kushtetutës thotë se me dorëheqjen e kryeministrit, qeveria që udhëheq ai ose ajo, rrëzohet e tëra.

“Pra, z. Haradinaj, ish-kryeministri, nuk ka dëshiruar të jetë edhe më tej në atë post, prandaj nuk do të duhej të shkonte në zyrën e dedikuar për Kryeministrin e Kosovës e as të bënte ndonjë veprim nga perspektiva e atij pushteti”, tha tutje Muhaxhiri.

Edhe gjatë ditës së djeshme, analisti në Institutin GAP, Bekim Salihu, në një sqarim për Koha.net tha se “termi kryeministri në dorëheqje” nuk ekziston, dhe se Haradinaj është ish-kryeministër.

“Neni 95, pika 5 e Kushtetutës, thuhet se nëse Kryeministri jep dorëheqje, ose për arsye të tjera posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, tha Salihu.

Salihu thotë se vetëm në nenin 100, pika 6, thuhet se “Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”.

E për këtë të premte, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka planifikuar të thërrasë mbledhjen e radhës të qeverisë që vetë e rrëzoi. Disa burime kanë konfirmuar për KTV-në që Haradinaj planifikon t’i mbledhë ministrat e kabinetit në një mbledhje të radhës.

Nëse vazhdohet përpara me këtë plan, mbledhja e qeverisë do të mbahej një javë pasi që Haradinaj, në të njëjtin vend dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit.

Kujtojmë gjithashtu se Haradinaj ka thënë se prapë do t’i hyjë garës politike për zgjedhjet e reja. Por, presidenti Hashim Thaçi nuk ka marrë ende asnjë veprim konkret për sa i përket zgjedhjeve.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE