Ranë zgjedhjet, u harrua Kombëtarja e Kosovës: Vëmendja u kthye nga politika

Kombëtarja e Kosovës me fitoret e barazimet duke mos lënë asnjë vend për dëshpërim me humbje viteve të fundit, ka bërë që ndeshjet e saj të përcillen me një vëmendje të jashtëzakonshme, mirëpo jo edhe tani që ka para vetes dy sfida, me Çekinë dhe Anglinë, dhe kjo vjen duke qenë se zgjedhjet janë afër dhe i kanë marrë vëmendjen.

Janë vetëm dy ditë para ndeshjes së madhe të Kosovës me Çekinë e cila do të luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, dhe vëmendja nuk është siç ishte para lojës me Bullgarinë, ku barazuan dardanët, mirëpo këtë herë fushata zgjedhore e ka lënë në hije sportin.

Ndërsa profesori i Fakultetit Filologjik Rrahman Paçarizi ka kërkuar të bëhet pauzë parazgjedhore deri sa të kryen ndeshjet.

“Jemi vetem dy dite para ndeshjes Kosovë- Çeki dhe kurrkush s’merret me kete pune. Na iku entuziazmi, u dorezuam para kohe, apo serish e serish e serish politika po na mbyt?
P.S. A kish bo nje pauze parazgjedhore me u perqendru kah lpja e kombetares se Kosoves a thu?”, ka shkruar Paçarizi.

Ekipi i Kosovës nuk ka pësuar asnjë humbje qe dy vite. Disfata e fundit e Kosovës në ndeshjet ndërkombëtare, daton më 9 tetor 2017, në Reikjavik, kur kosovarët ishin mposhtur nga Islanda me rezultat 2-0, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.

Që atëherë, Kosova ka 14 ndeshje pa humbje, prej tyre nëntë (9) fitore dhe pesë (5) barazime. Në këtë ecuri ndeshjesh, ‘Dardanët’, siç është nofka zyrtare e kombëtares së Kosovës – kanë shënuar 32 gola dhe kanë pësuar vetëm 10 sosh, duke mos shënuar gol vetëm në njërën nga këto ndeshje, në barazimin 0-0 me Azerbajxhanin, në Baku, në shtator të vitit të kaluar.

12 ndeshjet e fundit, nga marsi i vitit 2018, Kosova i ka zhvilluar nën drejtimin e trajnerit zviceran Bernard Challandes.

Prej katërmbëdhjetë ndeshjeve, pesë kanë qenë miqësore, gjashtë në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndërsa tri të fundit janë në kuadër garave kualifikuese për Kampionatin Evropian të futbollit ‘EURO 2020’, ku Kosova garon në Grupin A, me Anglinë, Çekinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë.

Me fitoren dramatike më minutat e fundit, 2-3, ndaj Bullgarisë, në Sofje, Kosova mori vëmendjen në Evropë.

Kujtojmë që loja kundër Çekisë do të luhet ditën e shtunë me 7 shtator në ora 15:00, në Prishtinë ndërsa ndeshja Kosovë- Angli do të luhet në Angli të martën, më 10 shtator, ku do të zhvillojnë ndeshjen e radhës për t’u kualifikuar në Euro 2020./gazetametro.net

SHPËRNDAJE