Raporti: Ky është viti kur Kina do ta kalojë ShBA-në me ekonomi

Sipas një raporti, Kina do t’ua zë vendin e parë Shteteve të Bashkuara si ekonomia më e madhe në botë para fundit të kësaj dekade, më saktësisht në vitin 2028. Ekonomia kineze ka funksionuar më mirë se ajo amerikane gjatë pandemisë.

Qendra për Studime Ekonomike dhe Biznesore tha se pret që vlera e ekonomisë kineze e matur në dollarë ta tejkalojë vlerën e ekonomisë amerikane në vitin 2028, gjysmë dekade më shpejt sesa u parashikua vitin e kaluar.

Në tabelën e parashikimit për rritje të ekonomive të 193 shteteve, grupi me bazë në Britaninë e Madhe tha se Kina është rimëkëmbur shpejt nga efektet e pandemisë së koronavirusit dhe ekonomia e saj do të rritet për 2 për qind këtë vit dhe është në mesin e pak ekonomive që shënon rezultat pozitiv.

Qendra britanike tha se përderisa ekonomia e Shteteve të Bashkuara pritet të tkurret për 5 për qind këtë vit, Kina do ta zvogëlojë dallimin me rivalin më të madh. Në përgjithësi, bruto-prodhimi global këtë vit pritet të bie për 4.4 për qind, që është rënia më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Sipas kësaj organizate, përqindja e GDP-së kineze në nivel botëror ka qenë 3.6 për qind në vitin 2000 dhe më 2019 është rritur në 17.8 për qind, për ta vazhduar rritjen edhe më tutje. Kina pritet që gjithashtu ta kalojë pragun prej 12.536 dollarësh për kokë banori në vitin 2023 për të hyrë në grupin e shteteve me të ardhura të larta.