Rashiq është kundër ndryshimit të kufijve, ja çfarë thotë për serbët e Kosovës

Përfshirjen e serbëve të Kosovës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi e ka parë të domosdoshëm Nenad Rashiq nga koalicioni parazgjedhor “Sloboda”.

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni “Sloboda” ka deklaruar se në proces të bisedimeve duhet të bëhet e qartë se nuk ka ndryshim të kufijve, pasi kjo temë sipas tij vetëm sa e dëmton të gjithë procesin.

Ai në një bashkëbisedim me qytetarë nëpërmjet Facebook, organizuar nga Institutit Demokratik i Kosovës, është përgjigjur në pyetjet lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku kërkoi përfshirje direkte të serbëve të Kosovës në dialog, madje të jenë edhe iniciues të këtij procesi.

Rashiq ka qenë kritik se deri më tani serbët e Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në procesin e dialogut, teksa shtoi se të gjithë duhet ta kuptojnë se cilado marrëveshje që bëhet pa qenë e iniciuar nga serbët e Kosovës, nuk do të jetë valide.

Rashiq ka treguar edhe arsyet se pse kërkojnë në proces të dialogut të jenë prezentë edhe serbët e Kosovës.

Ai është pyetur nga qytetarët se a beson që koalicioni “Sloboda” e largon ndikimin negativ që Beogradi e ka pasur në vazhdimësi nëpërmjet listës serbe dhe a e njeh ky koalicion pavarësinë e Kosovës.

Rashiq deklaroi se ndikimi negativ që është krijuar prej Listës Serbe nuk mund të riparohet në 10 vjetët e ardhshme, pasi ka ndikuar që serbët e Kosovës të mos integrohen në institucionet e shtetit të Kosovës.

Sa i përket pavarësisë së Kosovës, Rashiq tha se gjithmonë kanë punuar që të ndërtohet një shoqëri moderne e cila e njeh dhe e pranon çdo qytetarë të saj. Ai tha se në këtë frymë është edhe kandidatura e tij për kryeministër, pasi ka kërkuar rivalitet të barabartë me kandidatët shqiptarë.

I pyetur nga qytetarët se a do të arrihet paqja mes serbëve dhe shqiptarëve, Rashiq u shpreh optimist.

Rashiq është pyetur edhe pse shteti serb nuk e pranon gjenocidin e kryer në Kosovë, ku ai ka thënë se nga të dyja palët ka pasur krime individuale për çka nuk duhet të fajësohet tërë populli.

Ai është pyetur edhe për atë se pse të gjitha problemet ndodhin në veri të Mitrovicës dhe jo në Graçanicë, Ranillugë, Kllokot, për çka ai tha se serbët e jugut janë më të moderuar dhe më të gatshëm për  bashkëjetesë, teksa serbët e veriut janë të ndikuar nga ana e institucioneve serbe.

Rashiq është pyetur edhe për atë se a do të jenë parti e serbëve të Kosovës apo parti me urdhra të Beogradit, për çka ai tha se asnjëherë nuk ka qenë person që është udhëhequr nga dikush.

Ai ka rikujtuar kur në vitin 2014 ka refuzuar të jetë pjesë e Listës Serbe, pasi sipas tij kjo ka qenë kundër interesave të serbëve të Kosovës. Rashiq u shpreh se në mënyrë politike e ka paguar këtë qëndrim të tij, por që tha se prapë do të kishte vepruar në mënyrë të njëjtë.

SHPËRNDAJE