Rashiq: Korrigjimi i kufijve s’është i mirë as për serbët në jug as në veri

Në tryezë ka folur edhe Nenad Rashiq, Kryetari i Partisë Progresive Demokratike në Kosovë.

Ai ka thënë se ndarja e korrigjimi i kufijve nuk është mirë as për serbët e jugut as për ata në veri.

“Samiti i Berlinit dha qëndrime të qarta se kjo nuk do të ndodhë. Në tërë këtë proces serbët e Kosovës janë shumë pak të përfshirë. Sa u përket të drejtave dhe përfaqësimit të serbëve, nuk po shoh përfaqësim autentik të serbëve të Kosovës. Një prej yjeve në flamurin e Kosovës e vërtetë se është për serbët, dhe ne e përjetojmë Kosovën si shtetin tonë, prandaj duhet ta kemi të drejtën të përfshihemi në proces”, tha Rashiq

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë se do një zgjidhje mes Kosovës e Serbisë.

“Jemi për zgjidhje, por nuk muj unë të shkoj prej Mehës, Krushës në Berlin edhe të thonë hiqe taksën. Unë kam pranuar të ulem me të zgjedhurit e Millosheviqit, që tani udhëheqin Serbinë, Vuçiqi e Daçiqi. Nuk bën të vazhdohet me rëndim të gjetjes. Pas letrës së Trumpit nuk kemi ndërmarrë masa të reja edhe pse i kemi pasur të gatshme. Problem keqtrajtimi i serbëve të Kosovës nga autoritetet e Beogradit dhe kësaj duhet me i dhënë zgjidhje. Koha na ka kushtuar dy palëve. Nuk kemi interes me hap Kosovën e 17 shkurtit, e ka mbyll GJND-ja. Kushdo që thotë se përmes korrigjimit të kufijve arrihet paqja, e dinë se kjo çon në tragjedi e luftëra, edhe këtë po e bëjnë me vetëdije. Edhe ndërkombëtarët e dinë se kjo sjell tragjedi, nuk duam një luftë tjetër pas 20 vitesh. Ka bazë për një marrëveshje me Serbinë”, tha Haradinaj.