Rashit Qalaj e pranon publikisht se është i përfshirë në skandalin e gazit lotsjellës

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pranuar publikisht se është përfshirë në huazimin e 500 granatave të gazit lotsjellës nga Policia e Kosovës tek ajo e Shqipërisë, e cila i ndihmoi qeverisë shqiptare për t’i shtypur protestuesit e opozitës.

Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Qalaj ka konfirmuar se edhe nënshkrimi i tij figuron në një vendim për huazimin e 500 granatave të gazit lotsjellës për në Shqipëri.

“Kolegët nga MPB-së së Shqipërisë kanë kontaktuar Ministrinë e Brendshme të Kosovës dhe kanë kërkuar që të huazojnë 500 granata gazi lotsjellës. Ministri jonë i Brendshëm, E.M, i ka dërguar shkresë ministrit të Jashtëm Pacolli, nga i cili ka marrë konfirmimin me shkrim se kjo marrëveshje mund të delegohet tutje”, ka deklaruar Qalaj.

Qalaj ka deklaruar se “pastaj ky dokument ka ardhur në Zyrën e Drejtorit të Policisë së Kosovës”.

Gazeta Insajderi, në një hulumtim të publikuar javën e kaluar, ka zbuluar se drejtori i Policisë Rashit Qalaj ka ndihmuar që të shtypen protestat e opozitës në Shqipëri.

Insajderi ka zbuluar se Sandër Lleshaj, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kishte gënjyer publikisht shqiptarët lidhur me blerjen e gazit lotsjellës. Kishte mbajtur fshehur faktin që ishte marrë huazim nga Policia e Kosovës.

Për shkak të ndjeshmërisë, rregullat në blerjen e armëve e gazit lotsjellës janë specifike. Në momentin e kontraktimit, blerësi-Policia e Kosovës, nuk lejohet që t’ia huazojë dikujt tjetër. Është përdorues i fundit i armës dhe mban përgjegjësi se si e përdorë atë.

Mirëpo, ky rregull është thyer nga Rashit Qalaj, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ai ka vendosur që t’ia huazojë 500 granata me gaz Policisë së Shqipërisë.

Ky vendim i tij, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, ka ardhur pas presionit që atij i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kjo sasi prej 500 granatave me gaz ishte “dhuratë”, e Thaçit për partnerin e tij politik Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE