Reagimi i ashpër i deputetit të VV-së, për rastin “Pronto”, kërkon veting në sistemin e drejtësisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka komentuar sërish vendimin e gjykatës për vendimin e sotëm të gjykatës, që i shpalli të pafajshëm të akuzuarit në rastin “Pronto”.

Përmes një shkrimi në facebook, Bajqinovci, ka thënë se ky rast, sikurse disa raste tjera në KEK dhe Telekom, po merren vendime asisoji që të pamundësohet gjykimi i sërishëm.

Vendimin e sotëm, Bajqinovci e ka quajtur “çertifikim spektakular nga gjykatat të klientelizmit, nepotizmit dhe punësimeve partiake”, teksa ka përsëritur kërkesën e tij që të ketë veting në sistemin e drejtësisë.

Postimi i plotë i Mefail Bajqinovcit:

“Non bis in idem”, është një parim në drejtësinë penale, sipas të cilit, një rast nuk mund të gjykohet dy herë nga një sistem juridik i caktuar.

Me rastet e korrupsionit, sikurse ishte rasti Pronto, po ndodhë përdorimi i këtij parimi juridik në të kundërtën e qëllimit e funksionit të tij. Drejtësia e kapur në Kosovë, duke vepruar sipas urdhrave të kapësve të shtetit, duke hapur shumë raste për hetim të korrupsionit, i shpallë aktakuzat të cilat shpesh janë me defekte të qëllimshme psh rasti i KEK-ut, Telekomit e shumë raste tjera ku më pas gjykatat japin aktgjykime liruese.

Pra, shkaktohet gjendje juridike kur pamundësohet gjykimi i sërishëm i rasteve korruptive. Kështu sistemi i drejtësisë është kthyer në avokatin real të krimit të organizuar, në vend se të shërbente për të kundërtën. Drejtësia po vepron e dirigjuar dhe e sinkronizuar nga një dorë. Njëtrajtshmëri perfekte duke shkatërruar parimin kushtetues të organizimit të sistemit gjyqësor që i përcakton qartë funksionet e hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit.

Kjo e sotmja ishte çertifikim spektakular nga gjykatat të klientelizmit, nepotizmit dhe punësimeve partiake.

Drejtësi e kapur, tërësisht të pa besueshëm dhe rrjedhimisht shpërfaqë nevojën që të fillohet urgjentisht për një reformë në drejtësi, sipas modelit kroat ku Ligji për vetting në drejtësi e polici (menaxhment të lartë), është pikënisja e kësaj reforme jetike për shtetin e së drejtës në Kosovë.

SHPËRNDAJE