Reagimi i Hazardit kur pyetet nëse sezonin e ardhshëm do të luajë në Madrid

“Nuk po të kuptoj!”, kështu është përgjigjur Eden Hazard mbrëmë kur është pyetur për një transferim të mundshëm në Real Madridin në afatin kalimtar të verës.

“Pas kualifikimit në finale të Europa League, fjalët dhe gjestet që Eden Hazardi bëri, lanë të kuptohet se Real Madridi po e pret”, raporton “El Chiringuito de Jugones”.

“El Chiringuito de Jugones” ka filmuar belgun pak caste pas përfundimit të ndeshjes në “Stamford Bridge”, ku Hazard shënoi penalltinë e fundit dhe të fitores për t’i dërguar “Blutë e Londrës” në finale, pasi që koha e rregullt dhe ajo shtesë e ndeshjes gjysmëfinale përfundoi me barazim 1:1.

Ai u pyet nëse kjo ishte ndeshja e fundit në “Stamford Bridge” dhe nëse sezonin e ardhshëm do të luajë në Madrid – përgjigjja e Hazardit ishte: “Nuk po të kuptoj!”.

Ndërsa pas sfidës, në një prononcim për BT Sport, Hazard la të hapur se gjithçka mund të ndodhë.

“Nuk mendoj për këtë gjë. Unë vetëm po mendoj të fitoj diçka me këtë klub”, u përgjigj Eden Hazard për BT Sport kur u pyet për të ardhmen e tij, pasi e ndihmoi Chelsean ta zë një vend në finale të Ligës së Evropës, ku do të përballet me Arsenalin.

“Nëse finalja është ndeshja ime e fundit, do të tentoj të bëj gjithçka. Në mendjen time, nuk e di ende. Kështu që, do të tentoj të fitoj ndeshje me Chelsean”. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE