Reagimi i Qeverisë pas presionit të vazhdueshëm nga BE, që të hiqet taksa 100 për qind për mallrat serbe

Ministri i Qeverisë Haradinaj nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ka potencuar se është për keqardhje që Bashkimi Evropian po reagon ndaj vendimit të Republikës së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe.

“Është për keqardhje që Bashkimi Evropian po reagon kaq ashpër për vendimin e Republikës së Kosovës, kur deri më tani nuk është reaguar asnjëherë për shkeljet që i janë bërë shtetit tonë nga Serbia”, është shprehur Lekaj për “Gazeta Blic”.

Ministri Lekaj, shtoi se shteti serb deri tash nuk ka shprehur asnjëherë gatishmërinë që të përmbushin asnjë marrëveshje të arritur në dialogun me Kosovën.

“Këta të fundit nuk kanë shprehur gatishmërinë të përmbushin asnjë marrëveshje të arritur në dialogun Prishtinë – Beograd, proces ky i organizuar nga BE-ja”.

Duke folur më tej rreth kësaj teme, Lekaj thotë që Kosova ka humbur shumë për shkak të shkeljeve e ndalesave që shteti serb po i bën vendin tonë.

“Kosova deri më tani ka pësuar humbje të mëdha të shkeljeve e ndalesave qe shteti serb bën në vazhdimësi kundrejt vendit tonë. Sikur kjo të mos mjaftonte, Serbia me të gjitha kapacitetet lufton për dëmtim të imazhit të shtetit më të ri në Evropë, të pranuar ndërkombëtarisht, dhe nuk ka pranuar asnjë reagim të tillë të ashpër, siç i kanë drejtuar Kosovës për taksën 100 për qind”, ka përfunduar deklaratën Lekaj për Gazeta Blic.

Kurse, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të hiqet taksa prej 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja.

Mogherini ka thënë se ky vendim është kundër frymës së Marrëveshjes për Stabilizim Asociim mes BE-së dhe Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnja për 100 për qind është shkelje e pastër e CEFTA-s dhe frymës së Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Ajo përkeqëson situatën pas vendimit të parë prej 10 për qind javën e kaluar. Qeveria e Kosovës duhet menjëherë të anulojë këto vendime”, kishte deklaruar Federica Mogherini ditë më parë.

Por, pavarësisht presionit të bërë nga BE, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se taksa 100 për qind e vënë për mallrat serbe nuk do të hiqet.

Ai ka pohuar se taksa 100 për qind mund të zgjasë deri sa shteti serb ta njohë Kosovën./Gazeta Blic./

SHPËRNDAJE