Reagon analisti Salihu: VV zgjodhi Vjosa Osmanin para familjes Jashari, Jasharët u mashtruan dhe u harruan

Analisti politik, Fitim Salihu, ka reaguar pas marrëveshjes së nënshkruar nga Vjosa Osmani dhe lideri i VV-së, Albin Kurti.

Në një postim në Facebook, Salihu ka thënë se Jasharët, sipas tij, u keqpërdorën për poena politikë, teksa ka shtuar se VV zgjodhi Vjosa Osmanin para familjes Jashari.

“VV-ja e ka përmendur Murat Jasharin për President. Por, në mes të familjes Jashari dhe Vjosa Osmanit, ata zgjodhën Vjosën. Pra, Jasharët prapë vetëm u keqpërdorën për poena politikë dhe në fund u mashtruan e u harruan”, ka shkruar ai.

Postimi i tij:

1. Asnjë fjalë nuk e thanë për programet e marrëveshjes edhe pse vijnë nga dy ideologji të ndryshme. Vetëm për poste folën. Me rëndësi karriget: “I madh je, kryeministër.” “Ti je më e madhe, presidente.” “Jo, jo, kryeministër, ti je më i madhi.” “Ooo, jo bre, ti je më e…” 


2. VV-ja e ka përmendur Murat Jasharin për President. Por, në mes të familjes Jashari dhe Vjosa Osmanit, ata zgjodhën Vjosën. Pra, Jasharët prapë vetëm u keqpërdorën për poena politikë dhe në fund u mashtruan e u harruan.
3. Vjosa e pati sloganin “Guxo” por vetë nuk guxoi të garonte e vetme. Kaq për përkrahjen popullore për të dhe kaq për guximin e saj.


4. Vjosa pati thënë që nuk shkon në VV për sa kohë që aty ka ish LPK-istë. Sa e di unë, aty akoma janë Hydajet Hyseni e Emrush Xhemajli. Prandaj, në politikë nuk bën të thuash “kurrë”. Aq më pak ta theksosh si fort germën “rr” se pastaj duhet t’i hash fjalët e tua.


5. Vjosa e shkeli protokollin kur si Presidente në detyrë iu referua Kurtit si kryeministër, edhe pse ai nuk është kryeministër. Presidenti është institucion dhe nuk shpreh aty dëshira. Zyrtarisht Kosova e ka kryeministrin e vet dhe ai nuk është Kurti. Por, kështu është kur më shumë se Presidente je një fanse personale e Kurtit. Atij që vjet i thoshte Hugo Çavez, tash e ka bërë idhull.
6. Vjosa e ka vënë Presidencën në shërbim të fushatës zgjedhore.

Sot negociatat me Kurtin i bëri në Presidencë, kurse protokolli i Presidencës është parë duke e organizuar nënshkrimin e marrëveshjes. Çfarë keqpërdorimi i gërditshëm!