Reagon sërish Kurti, kritika të rënda ndaj Amerikës: Po dëshironi të impononi marrëveshje të dëmshme për hirë të një fushate elektorale

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur qëndrimin e tij për takimin e paralajmëruar në Uashington, më 2 shtator, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka akuzuar amerikanët se po përgatitin një marrëveshje të keqe.

Nëpërmjet një varg “cicërimash”, në rrjetin social Twitter, në internet, të cilin ai rëndom e zgjedh me qëllim që fjalët e tij të arrijnë një audiencë ndërkombëtare, Kurti ka thënë se është “shqetësues” njoftimi i Richard Grenellit, emisar i posaçëm për Kosovën dhe Serbinë i presidentit amerikan, Donald Trump, “se më 2 shtator, vetëm dy muaj para zgjedhjeve në SHBA, do të zhvillohen negociata në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë edhe argumentet e tij se pse mendon kësisoj.

“Fillimisht, mungon besueshmëria dhe transparenca. Ideja e ‘shkëmbimit territorial’ është mohuar vazhdimisht, por është dëshmuar se ekziston nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, ambasadori John Bolton, i cili ka thënë se ideja ka ardhur nga dy presidentët (Thaçi & Vuçiq). Kjo ka dëmtuar besimin në këtë proces”, ka shkruar Kurti në Twitter.

“Së dyti, mungojnë njohuritë rreth çështjes. Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i cili as nuk është në konflikt që të ketë nevojë për marrëveshje për paqe, dhe as nuk ka status të pazgjidhur, që kërkon negociata. Këto janë pohime të pavërteta”, ka thënë më tej ai.

“Së treti, koha dhe dedikimi. Një marrëveshje për normalizim me Serbinë kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve, rrjedhimisht një proces të gjatë. Me zgjedhjet presidenciale në nëntor, është e qartë se rëndësia nuk qëndron te përmbajtja e marrëveshjes, por te nënshkrimi në fund të saj”, ka shkruar kreu i VV’së.

Ish-shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se “Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërshtetërore, por se kjo duhet të ndodhë nëpërmjet një dialogu të përgatitur mirë. Lidhja dhe besnikëria e Kosovës me Shtetet e Bashkuara mbetet e pathyeshme, por shtytja drejt marrëveshjeve të këqija për hir të një fushate politike është e gabuar”.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE